Tifozët e kanë përmendur emrin e tij ndër të preferuarit e atyre që duhet të rikthehen tek Vllaznia, jo vetëm për nga vlerat e tij por edhe për faktin tjetër se ai është shkodran. Ansi Nika megjithatë nuk është ndjerë mirë ditët e fundit kur në media ka lexuar për ndonjë “mbyllje dere” nga ana e drejtuesve aktualë të kuqebluve. Vetë ai, ka dashur të flasë diçka në lidhje me këtë gjë dhe për gazetën shkodrasport. com, do të shprehej:
“Nuk e di se çfarë kanë dashur të thonë drejtuesit e Vllaznisë me atë shprehjen se jo të gjithë shkodranët e kanë derën e hapur për t’u rikthyer në skuadër. Në fakt, Vllaznia ka 3 vjet që “më kërcet në derë” duke më kërkuar që të jem pjesë e saj. Unë e kam shprehur edhe më përpara se jam i gatshëm të kthehem në Shkodër por jo të jem pjesë e një ekipi që lufton për mbijetesë. Prandaj dhe nuk jam rikthyer. Më shumë se për gjithçka tjetër, më vjen keq mbi të gjitha për tifozët e mrekullueshëm të cilët duan një skuadër tjetër dhe nuk po kënaqen me atë që po shohin në fushë”. I pyetur ndërkohë se ku do të jetë në sezonin e ri tashmë që i ka dhënë fund edhe aktivizimit me ekipin e Kukësit, mesfushori shkodran do të deklaronte: “Mund të konfirmoj faktin se jam në bisedime me Flamurtarin dhe do të vendosim këto ditë për kontratën. Kam edhe disa bisedime me skuadra të tjera jashtë vendit megjithatë brenda pak ditësh, do të vendos se ku do të luaj në sezonin e ri”- ka thënë në fund të prononcimit të tij Ansi Nika.
© shkodrasport.com