Ndeshja e humbur në mënyrë të padrejtë ndoshta javën e kaluar në Kavajë ndaj Besës tashmë është lënë njëherë e mirë prapa dhe drejtuesit e futbollistët e Adës së Velipojës, kanë filluar të mendojnë për ndeshjen e rradhës, atë që do luhet këtë të shtunë në fushën sportive “Adriatik” të Velipojës. Për trajnerin e kësaj skuadre Samuel Nikaj, ky takim konsiderohet më i vështirë se ai shumë të tjerë që janë luajtur ndaj skuadrave pretendente ngaqë futbollistët e mendojnë punë të kryer fitoren. Prandaj në prononcimin e tij për gazetën online www.shkodrasport.com, trajneri i Adës ka bërë thirrje për kujdes dhe përkushtim maksimal të futbollistëve të tij.
“Për ne trajnerët më e vështirë është të motivohet skuadra përpara ndeshjeve të ashtuquajtura të lehta sesa ndaj skuadrave pretendente. Megjithatë mendoj se Ada është e përgatitur për ta kaluar me sukses ndeshjen e rradhës me Ilirinë në mënyrë që të kapim objektivat tona të këtij sezoni dhe për t’i kapur ato, patjetër që duhet t’i fitojmë të gjitha ndeshjet në fushën tonë”- është shprehur ai.Objektivi pra është i qartë për velipojakët. Sidomos në Velipojë ata nuk duhet të lënë pikë në mënyrë që të jenë brenda planeve që kanë bërë për të qenë në mesin e tabelës së renditjes në fund të kampionatit.