Nëse në Superiore Skënderbeu vazhdon dominimin e tij, në Kategorinë e Parë është Kastrioti ai që dominon Grupin e Veriut. Statistikat e Kastriotit flasin për një ecuri më të mirë edhe se të Tiranës në grupin tjetër. Ekipi i Samuel Nikajt nuk njeh humbje deri në këtë moment, kur ka 23 pikë në 9 ndeshje, me vetëm 2 barazime.Një moment i artë ky për Krujën, për t’i kthyer këtij qyteti atmosferën pozitive të munguar në arenën sportive. Ngjitja e Kastriotit drejt Superligës duket vetëm çështje kohe.
Në një intervistë për “Vip Sport”, trajneri Samuel Nikaj shprehet i lumtur për ecurinë e fazës së parë. Ai thekson se ky ishte maksimumi që ekipi i tij mund të merrte në këtë fazë, pasi afrimet gjatë merkatos së shkuar ishin të pakta dhe baza ishte ajo e vjetshmja. Trajneri shkodran mendon se, nëse klubi investon në disa blerje cilësore, Kastrioti do të jetë një Kamzë e dytë.
Skënderbeu në Superiore dhe Kastrioti në të parën. Emri i figurës heroike të shqiptarëve po “pushton” futbollin tonë. Një rastësi e bukur, apo jo?
Po, është një rastësi e bukur, Skëndërbeu dhe Kastrioti janë duke dominuar në kampionatet respektive. Ajo që unë dëshiroj është që ky dominim të vazhdojë deri në fund, pasi do të ishte diçka vërtet e bukur.
Kastrioti nuk njeh rivalë në këtë fazë. A e ka marrë maksimumin e tij ekipi apo mund të shkëputeshit më tepër nga ndjekësit tuaj?
Ne kemi marrë maksimumin nga ky ekip, pasi fillimi ishte shumë i vështirë për ne. Baza e këtij ekipi ka qënë ajo e vjetshmja, nuk kemi ndryshuar shumë nga sezoni i kaluar në organikë. Kemi bërë shumë pak përforcime. Kemi marrë lojtarë, të cilët vinin nga sezone jo shumë të suksesshme, si Mziu apo Çela, që vinin nga Korabi. Boci dhe Malindi gjithashtu nuk kanë kaluar një sezon të mirë te Kamza, por tashmë janë duke u përmirësuar shumë nga ndeshja në ndeshje dhe kjo më bën optimist për të ardhmen.
Te ky Kastritiot ka shumë për të lavdëruar. Por kush është pika e dobët, ku jeni fokusuar për të punuar më shumë?
Pika më e dobët në këtë fazë për në ishte konkretizimi i rasteve të krijuara. Megjithatë, punojmë në këtë drejtim dhe koha po tregon se dhe sulmuesi kryesor, Marku, po zhbllokohet dhe po arrin nivelin që ne presim prej tij.
Cili prej lojtarëve jua ka suprizuar në këtë fazë të parë të kampionatit?
Të them të drejtën, jam suprizuar për mirë nga të gjithë futbollistët që kam në dispozicion. Nuk mund të jap emra të përveçëm, por mund të them se jam shumë i lumtur që lojtarët janë përshtatur kaq mirë me skemat, idetë dhe filozofinë time të lojës.
Me këto ritme, Superiorja për Kastriotin duket vetëm çështje kohe. Por sa i ka shanset ky ekip, me këta lojtarë, për të konkurruar në elitën e futbollit në Shqipëri?
Me kontingjentin e lojtarëve që kemi dhe nëse arrijmë të marrim 2-3 përforcime të tjera, mendoj se Kastrioti do të jetë një Kamzë e dytë në Superiore. Gjithmonë nëse vazhdojmë në këto ritme në Kategorinë e Parë, pasi tashmë është mbyllur vetëm faza e parë e kampionatit.
Cila është formula e suksesit të Samuel Nikës? Si i motivoni futbollistët përpara ndeshjes?
Nuk është se kam ndonjë motivim të veçantë, që u bëj futbollistëve përpara ndeshjes, por u lë atyre përgjegjsinë dhe peshën e rezultateve. Në fund ata e dinë dhe vetë se, nëse ka një performancë jo të mirë në fushë, përgjegjësitë i marr të gjitha për vete. Ajo që u them përpara se të futen në fushë është: Harrojini ato që kemi folur gjatë javës, tani futuni në fushë dhe luani siç dini vetë.
Të gjithë në këto momente “lotojnë” në Shkodër. A i ka shkuar ndërmend për ta shpëtuar “anijen” e Vllaznisë “kapitenit” Nikaj?
Vllazninë e kam pikë të dobët, sepse është ekipi i qytetit, ku unë jam formuar. Më vjen keq për gjendjen, në të cilën ndodhet, por për momentin e shoh veten larg Vllaznisë. Kjo deri në momentin që tek ai klub të vijë një president dhe ky klub t’i krijojë kushtet një trajneri të punojë ashtu siç duhet të punojë një trajner futbolli.
© shkodrasport.com