Samuel Nikaj arriti ta kthejë Flamurtarin në Superligë pas gjashtë viteve mungesë. Trajneri nga Shkodra ende nuk e ka vazhduar kontratën me klubin kuqezi, pasi sipas tij marrëveshja ishte vetëm për pranverë. Në një intervistë për GazetaOlle.com, Nikaj sqaron situatën e tij dhe kërkesa që ka për klubin. Ai kërkon një skuadër konkurruese që të luftojë për pozitat e para.

A do të jeni trajner i Flamurtarit edhe në Superligë?
Nikaj: Realisht marrëveshja ka qenë deri në përfundim të këtij kampionati.
A kanë vazhduar bisedimet?
Nikaj: Bisedimet janë në hapat e parë për rinovim.
Çfarë të shtynë të vazhdosh me Flamurtarin?
Nikaj: Më ka pëlqyer shumë organizimi dhe mikpritja në Kosovë dhe në veçanti tek klubi i Flamurtarit ,por ajo që do jetë vendimtare në vazhdimin apo jo me Flamurtarin do të jenë ambiciet e klubit.
Sa ka nevojë të përforcohet skuadra dhe në cilat pozitat?
Nikaj: Superliga është më e vështirë dhe kjo dihet, por në varësi të objektivit duhet bërë përforcimet dhe objektivat e klubit nuk i kam ende të çarta sepse dhe disa ditë po e shijojmë suksesin qe nuk ka qenë i lehtë. Se nuk ishte i lehtë u pa me inkuadrimi e Vllaznisë dhe rezistenca e Dukagjinit ndaj një ndër ekipeve më te organizuara siç është Drita.
Me skuadrën aktuale dhe me disa përforcime cili do të ishte objektivi i Flamurtarit? A do të qëndronte në Superligë?
Nikaj: Realisht Flamurtari dhe me këtë ekip që  e ka aktualisht mund të mbijetojë sepse ka historinë me vete, por unë jam njeri me ambicie të mëdha dhe nuk e shoh vetën të përfshirë në një projekt mbijetese.
Dëshironi skuadër që lufton për titull?
Nikaj: Jam me këmbë në tokë. Unë kërkoj skuadër për tre vendet e para dhe që në Kupë te jemi garues si rruga më e shkurtër për në Evropë.