Flamurtari i Prishtinës i drejtuar nga trajneri shkodran Samuel Nikaj, në rradhët e të cilit luajnë edhe tre futbollistë shkodranë, pasditen e sotme është kurorëzuar “kampion dimri” në Ligën e Parë të futbollit kosovar. Ka ndodhur kështu pas fitores në ndeshjen ndaj ekipit të KEK-ut me rezultatin 1-0. Golin e vetëm të ndeshjes e ka shënuar Shkëlqim Syla, gol që gjithsesi ka mjaftuar që kjo skuadër të ruante vendin e parë në renditje në gjysmën e parë të kampionatit. Flamurtari tashmë është në kuotën e 33 pikëve ndërsa ndjekësja më e afërt- Vllaznimi i Gjakovës do të luajë nesër por edhe nëse fiton, sërish diferenca me të do të jetë tre pikë.

Ecuria e prishtinasve nën drejtimin e trajnerit Nikaj ka qenë e shkëlqyer. Në tetë ndeshje që ai e drejton këtë ekip, ka barazuar ndeshjen e parë dhe i ka fituar shtatë të tjerat duke bërë që ai të ngjitet nga vendi i tetë në të parin. Por jo vetëm kaq. Prej shtatë ndeshjesh, porta e kësaj skuadre e mbrojtur nga portieri Ervin Hallunaj ende nuk ka pësuar gol. Një paraqitje e shkëlqyer e portierit shkodran për të cilin ditët e fundit thuhet se kanë filluar interesime nga skuadra të tjera, madje edhe të Superligës së Kosovës. Me një ecuri të tillë, me siguri që edhe fazën e dytë Flamurtari do të vazhdojë ta ruajë vendin e parë në renditje dhe të arrijë objektivin që ka për t’u ngjitur në mes ekipeve më të mira kosovare.

© shkodrasport.com