Emërimi i tij në krye të Vushtrisë ka bërë që Samuel Nikaj ndonëse nuk ka zbritur ende në fushë, të nisë të bëjë planet për ndërtimin e skuadrës.
Burime pranë trajnerit shkodran të ekipit kosovar, bëjnë të ditur se përveç disa përforcimeve nga futbolli vendas, Vushtria pritet të përforcohet edhe me tre lojtarë nga Shqipëria.
Për momentin nuk bëhen të ditur emrat e futbollistëve që dëshiron të marrë me vete ish- trajneri i Kastriotit në sezonin e fundit.
Por nga sa mësohet, asnjëri nga këto tre lojtarë që pritet të jenë pjesë e Vushtrisë në sezonin e ri, nuk është shkodranë.
Diçka e palogjikshme në pamje të parë ngaqë Nikaj është shkodran dhe i njeh shumë mirë futbollistët e këtij qyteti.
Megjithatë, nga sa duket, ai ka preferuar të marrë me vete futbollistë të tjerë.
Njëri prej tyre mësohet të ketë qenë pjesë e Kastriotit në sezonin e fundit por për dy të tjerët nuk ka shumë informacion.
Trajneri i sapoemëruar i Vushtrisë ka marrë përsipër misionin e ngjitjes edhe të kësaj skuadre në Superligë dhe nëse do ia arrinte, do të ishte vërtetë diçka fantastike sepse do të bëhej ekipi i tretë rresht që e arrinte këtë gjë.
Por, nga sa duket, Samuel Nikaj e ka marrë përsipër këtë mision, pa futbollistë shkodranë.
© shkodrasport.com