Nga Endri ÇINARI
I ftuar në rubrikën sportive të RTSH Shkodra mbrëmë ishte edhe Nikolin Leka. Trajneri i Vllaznisë së femrave foli për fitoren e fundit në shifrat 12-0 ndaj Gramshit. Po ashtu u ndal edhe tek dy rikthime të rëndësishme në skuadrën e tij. Leka gjithashtu nuk la pa theksuar se pretendimi i vetëm që ka ekipi i tij është titulli kampion dhe vijimi i dominimit të kampionatit në Shqipëri.
Leka tha: “U rikthyem aty ku e meritojmë të jemi dhe ku kemi qenë gjithmonë, në vendin e parë. Tirana ishte nga rastësia në vendin e parë, nga ngjarje që nuk kanë edhe aq shumë të bëjnë me futbollin në fushë. Kjo sepse Tirana realisht nuk na ka mposhtur asnjëherë në fushën e lojës. Megjithatë tashmë kemi kryesimin të vetëm dhe do përpiqemi deri në fund të mos e lëshojmë më.
Megjithëse edhe tek femrat këtë sezon do jetë si tek meshkujt, ku do ketë “final 4”. Kjo nuk e zbeh aspak motivimin tonë, ku ne do luajmë për fitore në çdo ndeshje. Objektivi është i qartë besoj, titulli i 11-të kampion rradhazi. Rivalët më të fortë janë Tirana që e presim në Shkodër dhe Apolonia të cilën e vizitojmë në Fier në këtë fazë. Patjetër që do kërkohet maksimumi në çdo duel.
Fitorja e thellë kundër Gramshit? Dihen diferencat që ka Vllaznia, jo vetëm me Gramshin, por të gjitha ekipet. Kjo sepse është një projekt i investuar prej 15 vitesh dhe që ka ngritur lart emrin e futbollit shqiptar për femra. Ajo që më gëzon përveç fitores është edhe rikthimi pas thuajse 3 vite jashtë fushe i Arbiona Bajraktarit. Një vlerë e shtuar e ekipit tonë, por edhe Arbenita Curraj. Ku edhe kjo e fundit kishte disa kohë jashtë fushave të blerta”./www.shkodrasport.com/