Ai është një nga volejbollistët më të mirë të ekipit të Vllaznisë por njëkohësisht edhe pjestar i “10 sportistëve më të mirë” të klubit shkodran për vitin 2013. Nikolin Qafarena po mundohet që bashkë me pjesën tjetër të ekipit të realizojë ëndërrën e madhe, atë të sjelljes për herë të parë në historinë e volejbollit shkodran të një titulli kampion në këtë qytet. “Jemi të karikuar në maksimum për të bërë më të mirën e mundshme që skuadra sivjet të shpallet për herë të parë në historinë e saj kampione e Shqipërisë.
Ardhja e dy volejbollistëvë të huaj e ka rritur edhe më shumë forcën e skuadrës dhe tashmë na duhet që të mos gabojmë në dy ndeshjet e rradhës, atë që kemi këtë të shtunë në kryeqytet me Tiranën dhe javën tjetër në Shkodër me Studentin. Duhet patjetër t’i fitojmë këto ndeshje për të ruajtur vendin e parë para nisjes së ndeshjeve të play off-it. Forma e ekipit është shumë e mirë. Na gëzon fakti që kemi mbështetje maksimale nga ana e drejtorit të klubit, ish- volejbollistit të mirënjohur Mark Kroqi apo dhe dashamirës të tjerë të këtij sporti, prandaj kjo është një shtysë më tepër për ne, për të fituar”- ka thënë ai. Në pragndshjen me Tiranën ndërkohë do të zhvillohet një tjetër miqësore me Buduçnostin, pikërisht pasditen e së enjtes në Shkodër. Sa i takon ndeshjes me Tiranën, mendohet që drejt kryeqytetit për të mbështetur volejbollistët e Vllaznisë do të jetë edhe grupimi i tifozëve “Vllaznit Ultras”.
Gjergj KOLA