Vllaznia vijon traditën e saj për të nderuar figurat e shkëlqyera që kanë kontribuar në vite për të rritur emrin dhe historinë e këtij klubi. Dhe pikërisht në këtë aspekt, ditën e djeshme u nderua përpara ndeshjes së Kupës ndaj Elbasanit, edhe ish- mesfushori i saj i viteve ’80 Nikolin Thana.

Ky i fundit është parë të jetë tejet i emocionuar nga një ceremoni e tillë dhe pas përfundimit të saj është shprehur në këtë mënyrë në një prononcim të dhënë për gazetën “Shkodra Sport”:

“Jam shumë i kënaqur për një vlerësim të tillë. Shkodra ka pasë figura të mëdha të futbollit dhe të sportit në tërësi, por me një vlerësim të tillë të them të drejtën u ndjeva i plotësuar dhe nuk do ta harroj kurrë. Të kesh kontribuar për Vllazninë është nder dhe respekt, pa asnjëfarë vlerësimi dhe kur edhe të vlerëson, kjo padyshim që ishte shumë emocionuese për mua.

Te Vllaznia për herë të parë kam luajtur me numrin 10 te Vllaznia, atëherë kur erdha nga Shkëndija sepse kam luajtur në sulm, më pas kam luajtur edhe në mesfushë apo dhe në mbrojtje në raste të caktuara. Unë mendoj se nuk ka rëndësi numri, por ajo që jep në fushë. Në kohën time, 10-tën e ka mbajtur edhe Fakja, edhe Bushati.

Kam marrë disa dekorata gjatë jetës time, edhe në fushën time, por kjo që më dha Vllaznia më bëri të ndjehem i plotësuar. Ai që ka qenë pjesë e Vllaznisë, e ka për nder. Qoftë edhe për të qenë thjesht pjesë e ekipit. Nëse do të ktheheshim prapa në kohë, përsëri të njëjtën gjë do kisha bërë. Megjithatë mendoj se nuk i kam dhënë Vllaznisë, atë që ajo meriton.

Vllaznia, drejtuesit më nderuan por të them të drejtën nganjëherë mendoj, a e meritova unë një nderim të tillë? Gjithsesi edhe njëherë dua t’i falenderoj dhe uroj që këtë sezon të arrijnë ta gëzojnë Shkodrën me titullin kampion, sepse ky qytet e meriton”.(www.shkodrasport.com)