E njohur si skuadra e parë e futbollit të femrave në Shqipëri, “Juban Danja” vitet e fundit ka shtuar si pjesë e saj edhe ekipet e fëmijëve dhe jo vetëm të vajzave por edhe të djemve. Presidenti Ferdinand Jaku vazhdon me plot dëshirë projektet e tij për promovimin e futbollit në këtë zonë dhe padiskutim që po e bën në mënyrën e duhur. Gjatë viteve, pjesë e stafeve teknike të “Juban Danjes” kanë qenë edhe emra të tillë si Kreshnik Krepi, Ilir Dibra, Entri Çaku etj por së fundi, ka një tjetër emër shumë të njohur që ka nisur punën me të.
Bëhet fjalë për ish- futbollistin e njohur të Vllaznisë Nikoll Gjergji. I njohur si specialist i punës me ekipet e moshave, ai është emëruar këto ditë si drejtor i Akademisë “Juban Danja”. Lajmin e ka bërë të ditur vetë presidenti Jaku që ndër të tjera ka deklaruar: “Profesor Nikoll Gjergji është emëruar drejtor i Akademisë tonë që në përbërje të saj ka shumë djem dhe vajza të talentuara. Kjo gjë bëhet në kuadrin e një projekti dhe ideje për masivizimin, edukimin dhe ngritjen e nivelit të futbollit”.
© shkodrasport.com