Nikoll Gjergji ka lindur në Shkodër në vitin 1941. I ati i tij, Gjergji kishte zbritur në Shkodër kohë më parë nga fshati Lotaj – Shalë. Që në fillimet e para tek Nikolla spikatin aftësitë e tij intelektuale, prirjet për sportin më popullor siç është futbolli dhe prirja për punime artizanale në dru.
Për të bërë realitet prirjet e tij, ai iu përvesh një pune mjaft të gjatë e këmbëngulëse. Përveç prirjeve që u thanë më sipër Nikolla kishte mjaft pasion edhe për sportin e atletikës dhe volejbollin.
Nikolla ka mbaruar studimet për fiskulturë, kurs për punimet artistike në dru si dhe kursin e trajnerëve. Në moshën 15 vjeçare është kampion në garën e 110 metrave me pengesa.
Kur ishte volejbollist me ekipin e të rinjëve të Vllaznisë ky ekip u shpall kampion kombëtar. Në moshën 16 vjeçare luan futboll me ekipin e të rinjve të Vllaznisë. Ushtrinë e mbaron në Gjirokastër kështu që detyrohet të luajë për ngjyrat Gjirokastrite.
Nga viti 1961 deri në vitin 1968 luan me ekipin e futbollit të Vllaznisë si sulmues i krahut të djathtë. Kjo është periudha në të cilën arrin shkëlqimin e vet. Në të gjitha këto vite ekipi i Vllaznisë nuk pëson asnjë humbje me të huajt në fushën e vet.
Ish futbollisti i Vllaznisë, Muc Hoxha shprehet: “Nikoll Gjergji ishte një sprintier i shkëlqyer, saqë tmerronte mbrojtësit me të mirë shqiptar dhe ata ballkanas, ishte një goditës bombë, një pasues shumë i saktë dhe nuhatës zoti i portës kundërshtare”.
Por ja që edhe Nikoll Gjergjin e dënon fati për t’u larguar për gjithmonë nga fusha e blertë e futbollit pikërisht në turneun e kupës Ballkanike që po zhvillohej në Rumani në vitin 1968. Në një ndeshje që po zhvillohej në Kostanca Nikolla thyen këmbën.
Kjo ishte edhe vula fatkeqe që i dha fund karrierës së tij si futbollist i talentuar e shpresë për ekipin ku bënte pjesë.
Nikoll Gjergji nuk reshti së punuari as pas kësaj fatkeqësie, pasi u muar vazhdimisht me stërvitjen e të tjerëve me plot këmbëngulje e pasion për atë që i kishte pushtuar zemrën për shumë vite, futbollin. Sot është trajner i klubit privat për të rinjtë me emrin simbolik “Djelmnia shkodrane”.
Prelë MILANI