Ai nuk ka asgjë me trajnerin aktual të Vllaznisë. E admiron si futbollist por sigurisht që pret shumë edhe si trajner. Nikoll Gjergji, ish-futbollisti i Vllaznisë së viteve ’60, pranon të flasë për skuadrën aktuale shkodrane dhe për mënyrën si po e drejton Rudi Vata atë.”Personalisht kam patur dhe kam simpati për Rudi Vatën. Një karrierë e shkëlqyer si sportist dhe prandaj kam patur besim se do të bëj gjëra të mira edhe si trajner. Por ajo çfarë konstatoj unë është se Vata në teori i ka të qarta shumë mirë ato çfarë ka ndër mend të bëjë por në praktikë nuk po ia del dot. Ndoshta nuk është faji i tij sepse këtë brum lojtarësh ka në skuadër megjithatë në Shkodër tifozët dhe gjithë njerëzit janë shumë kërkues. Prandaj mendoj se Rudi ndoshta duhet të jetë më elastik në idetë e tij. Ai nuk duhet të kërkojë t’i fusë këto ide perëndimore menjëherë tek Vllaznia  por gradualisht. Futja e ideve të tilla përnjëherë krijon të pakënaqur, nuk ke lojtarët e duhur në dispozicion etj dhe mbase gradualisht duhen bërë këto gjëra. Ajo çfarë konstatojmë ne është se Vllaznia nuk prodhon lojë. Një skuadër të cilën mërzitesh duke e parë në fushën e lojës, aq sa në 90 minuta vetëm 2-3 herë e sheh duke sulmuar. Kjo është e pafalshme dhe kjo tregon se Vata nuk ka arritur ende të bëjë atë që ka menduar me këtë skuadër. Ndoshta është edhe mungesa e përvojës por mund të jetë edhe kontigjenti i lojtarëve apo gjëra të tjera që ndikojnë”-ka thënë ekskluzivisht për gazetën online www.shkodrasport.com Nikoll Gjergji i cili ndonëse në moshë vazhdon të bëjë punën e trajnerit me ekipet e moshave teksa sëbashku me mikun e tij Gjovalin Colajn, kanë krijuar ekipe fëmijësh të cilët i stërvisin plot pasion. Po si ndjehet Nikoll Gjergji kur Vllaznia humbet? Përgjigja është e drejtëpërdrejtë nga ana e tij kur shprehet: “E vuaj shumë humbjen e Vllaznisë, aq sa e kam shumë të vështirë ta pranoj dhe kjo duket qartë edhe në sjelljen time me shokët dhe ambjentin ku qëndroj. Vllaznia është gjithçka për ne dhe më parë se të jem një ish-futbollist i saj, jam shumë tifoz me këtë klub, me këtë fanellë, me këtë emër të madh të futbollit shqiptar”.

www.shkodrasport.com