Nëse skuadra e sezonit të kaluar rrezikoi deri në fund për të siguruar një vend që do ta mbante në Superligë, në sezonin aktual duket një ecuri më e mirë e saj dhe tashmë të gjithë kanë filluar të mendojnë dhe të kërkojnë një ngjitje në renditje të Vllaznisë. Megjithatë, Nikoll Gjergji, ish-futbollist i kësaj skuadre në vitet ’60, duket i kënaqur me progresin që kanë bërë kuqeblutë. “Shoh një skuadër më të përgjegjshme këtë sezon e cila lufton fort për pikë ndaj çdo kundërshtari dhe madje mund t’u marrë edhe pikë. E bëri këtë gjë edhe në ndeshjen me Partizanin kur me pak më shumë kujdes, edhe mund të fitonte. Shkodranët po luajnë mirë në mbrojtje. Vërtetë duhet të bëjnë diçka më shumë përpara por duket se trajneri dhe stafi i tij i kanë të përcaktuara mirë gjërat në detyrat që japin. Tifozët dhe të gjithë të tjerët duhet të mos fluturojnë për të kërkuar më shumë nga ky ekip sesa vendi i pestë. Sezonin e ardhshëm pastaj duhet të mendojmë për të ngjitur edhe një apo dy shkallë në renditje. Të mos harrojmë se shumë prej skuadrave të Superligës harxhojnë shumë herë më tepër sesa Vllaznia. Kjo për fat, ka një pjesë të mirë të lojtarëve shkodranë dhe i ka shpenzimet më të vogla por besoj se projekti i Cungut duhet të vazhdojë”- ka thënë ish- sulmuesi i kësaj skuadre 50 vite më parë.

© shkodrasport.com