Ish-futbollisti i Vllaznisë dhe Laçit, Valdano Nimani ka qenë i ftuar në Star Sport ditën e hënë. Ish-sulmuesi pranoi që e priste një barazim mes skuadrave, ndërsa u ndal edhe tek problematika e sulmuesve të kuqebluve, ku gjithashtu theksoi se futbollistët duhet të marrin akoma më shumë përgjegjësi.

Nimani u shpreh duke thënë: “E prisja një rezultat të tillë mes Laçit dhe Vllaznisë. Pavarësisht se ekipi i Joses ndoshta mund të arrinte edhe diçka më tepër duke parë edhe formën jo të duhur të laçianëve. Fusha e Laçit është gjithmonë e vështirë për këdo dhe pika duhet vlerësuar.

Pse çalon Vllaznia ? Duhet të them se futbollistët duhet të marrin më shumë përgjegjësi. Stafi drejtues i ka krijuar kushtet e duhura që ekipi të jetë aty ku duhet. Po ashtu ambienti është pozitiv e po ashtu tifozët janë pranë ekipit, ku i pamë edhe në transfertën e fundit në Laç. Prandaj futbollistët duhet të kenë një marsh tjetër.

Kriza e sulmuesve ? E tregojnë golat e tyre që nuk janë aty ku priten. Shpresoj që të vijojnë me shënimin e tyre në vazhdimësi, kjo për të ndihmuar skuadrën në marrjen e fitoreve dhe realizimin e objektivave”.
Endri ÇINARI