Goce Sedloski nis aventurën si tra jner i ri i Vllaznisë, duke drejtuar dje seancën e parë stërvitore në fushën “Reshit Rusi”. Pasi u prezantua me lojtarët, maqedonasi mbajti një fjalim të shkurtër para skuadrës, i shoqëruar nga ndihmësi i tij, Toni Meglenski. Ky i fundit është një tjetër maqedonas, i cili do të jetë në rolin e zv. trajnerit te shkodranët.

41- vjeçari ka luajtur në vitet 2008- 2009 tek Elbasani në Kategorinë Superiore, teksa e njeh mirë kampionatin shqiptar. Jo më kot Sedloski do ta ketë si krahun e tij të djathtë te Vllaznia, teksa të dy i bashkon vendlindja, që është Prilepi në Maqedoninë e Veriut.

Në stërvitjen e parë të Sedloskit kanë qenë të pranishëm të gjithë lojtarët, ndërsa nga stafi teknik që bashkëpunoi me Mirel Josën dhe Auron Milotin ishin zv.trajneri Ergi Borshi, përgatitësi atletik, Mihail Tzokov, si dhe trajneri i portierëve, Ideal Lekiqi.

Të gjithë këta do të vazhdojnë të mbeten pjesë e stafit, ndërsa mësohet se në bisedimet që Sedloski ka bërë me presidentin Xhaferi, kishte vendosur si kusht vetëm faktin që të përzgjidhte vetë ndihmësin e parë.

Në ambientet e “Reshit Rusit” u pa dje edhe drejtori sportiv, Vioresin Sinani, ndërsa mungoi trajneri i shkarkuar, Auron Miloti. Ky i fundit ka qenë i pranishëm vetëm në takimin që drejtuesit kanë bërë në stadiumin “Loro Boriçi”.

Burime në klub tregojnë se Miloti nuk do të largohet përfundimisht nga Vllaznia, por do të mbajë një tjetër post në klub, që me shumë mundësi do të jetë ai i skautit, duke nisur që tani kërkimet për lojtarët që mund të vijnë në merkaton e verës.

Megjithatë, kjo do të specifikohet sot në konferencën që do të mbahet për mediat për prezantimin e trajnerit të ri të Vllaznisë. Vlen të theksohet se maqedonasi që vjen pas sukseseve me Shkupin ka firmosur një kontratë që e mban të lidhur deri në fund të sezonit tjetër.

STËRVITJA E PARË Trajneri i ri i kuqebluve është munduar të karikojë futbollistët në stërvitjen e parë. Ekipi ka nisur përgatitjet për sfidën e së dielës ndaj Erzenit në stadiumin “Loro Boriçi”, që do të shënojë edhe debutimin e Goce Sedloskit.

Pas disa ushtrimesh në fillim të seancës, maqedonasi ka ndarë skuadrën në dy pjesë, duke kërkuar që të shikojë ndoshta edhe ato objeksione që ka për të ardhmen. Nga ndarja që bëri, ka rënë në sy mënyra që kishte zgjedhur për të luajtur në vijën e parë të sulmit.

Ai ka preferuar dyshen Balaj-Kaina që nga minuta e parë, paçka se bëhet fjalë për dy lojtarë me karakteristika të njëjta.

Sedloski njihet si një trajner sulmues në Maqedoni, por gjithsesi kjo provë e parë ndoshta mund të mos jetë definitive për formacionin anti-Erzeni. Megjithatë, interesant ishte fakti se në lojën që ekipi bëri brenda familjes, u pa qartë se pas sulmuesve Balaj dhe Kaina, u provua fantazisti Kristjan Vulaj, i cili është një numër 10 tipik.

Duket se Seldoski do të zgjedhë një tjetër skemë loje në krahasim me Josën dhe Milotin, që ndoshta sakrifikon një nga lojtarët e krahut. Gjithsesi, kjo do të shikohet në ditët në vijim, kur edhe trajneri të njoh më mirë gjendjen e lojtarëve.

Sedloski ka në dispozicion edhe 4 ditë për të përgatitur ndeshjen me Erzenin, që këtë kampionat ka qenë një makth për shkodranët, pasi i ka mundur dy herë dhe u ka marrë një barazim.