Mbrëmjen e djeshme në teatrin “Migjeni” ka nisur Festivali i këngës qytetare “Luleborë” që organizohet nga Bashkia Shkodër. Në natën e parë, për të ndjekur emocionet e këtij Festivali ka patur edhe disa të ftuar specialë, pikërisht futbollistët dhe stafin teknik të ekipit të futbollit të Vllaznisë. Ftesa e ardhur nga institucioni i pushtetit lokal është mirëpritur nga pjestarët e këtij ekipi që nuk kanë hezituar të jenë të pranishëm në teatrin “Migjeni” për të ndjekur me kërshëri emocionet që u kanë dhuruar 11 këngët qytetare të kënduara.
Madje, trajneri Ernest Gjoka, trajneri i përgatitjes atletike Gjegji Poloska dhe drejtori sportiv Eugent Zeka, e kanë ndjekur këtë koncert përkrah kryebashkiakes Voltana Ademi. Pjesmarrja në këtë aktivitet për futbollistët shkodranë natyrisht që ka qenë një element i gjetur sepse vetë trajneri Gjoka herëpashere ka deklaruar se problemi i skuadrës aktualisht është psikologjik dhe mbase muzika shkodrane mund të ndikojë në këtë aspekt.
© shkodrasport.com