Java që ka nisur sot pritet të jetë vendimtare për merkaton e Vllaznisë. Disa nga futbollistët që mbyllën sezonin e fundit me të, janë ende në dyshim për vazhdimësinë ngaqë kanë disa klauzola në to për të cilat do të negociohet me drejtuesit e klubit. njëri prej tyre është kapiteni Shtubina i cili në fakt nuk është duke u stërvitur me ekipin prej disa ditësh, pikërisht për këtë çështje.

Ai pret një përgjigje nga administratori Gjyrezi për kontratën e re megjithatë duket se çdo gjë do të zgjidhet brenda këtyre ditëve. E njëjta situatë edhe për disa lojtarë të tjerë si Tafili, Kalaja, Bardulla, Gocaj e ndonjë tjetër. Edhe me ta do të ketë bisedime për të përcaktuar detajet e kontratave të reja por duket se çdo gjë do të zgjidhet në mënyrën më të mirë të mundshme. Të gjithë këta futbollistë pritet të jenë pjesë e Vllaznisë edhe në sezonin e ri. Përderisa ata janë në stërvitje, kjo do të thotë se dëshira e tyre është të vazhdojnë të luajnë në “Loro Boriçi”. Edhe drejtuesit e klubit kanë të njëjtin interes dhe akordi është çështje orësh. Me interes pritet vetëm problemi i futbollistëve të tjerë që mendohet të jenë pjesë e skuadrës në sezonin e ri. Në media vazhdon të përflitet emri i Edon Hasanit por mesfushori shkodran ende duket i pavendosur për të ardhmen e tij. Po ashtu po flitet edhe për mbrojtësin e Skënderbeut Hektor Idrizaj por për këtë të fundit pjestarët e stafit teknik të Vllaznisë nuk duken shumë të bindur ngaqë nuk është një lojtar i mirëfilltë i krahut të majtë të mbrojtjes. Pavarësisht këtyre problemeve, java në të cilin kemi hyrë mendohet të jetë vendimtare për merkaton e kuqebluve. Kryebashkiakja Ademi u ka lënë detyra të qarta drejtuesve të klubit dhe pjestarëve të stafit teknik për të gjetur lojtarët e duhur në mënyrë që të ndërtohet një skuadër më e denjë se ajo e sezoneve të fundit. Të gjithë janë vënë në lëvizje për këtë gjë dhe brenda kësaj jave parashikohet që ekipi të marrë formën e duhur.

© shkodrasport.com