Ka nisur pasditen e sotme në Shkodër kampionati kombëtar i boksit për 17-18 vjeçarët. Në të marrin pjesë 11 ekipe ndër to sigurisht që edhe Vllaznia e cila është edhe pretendentja kryesore për titullin kampion. Ekipi shkodran ka marrë pjesë në këtë kampionat me 9 boksierë dhe ndër to vetëm Bledar Zagani në peshën 52 kg ka humbur dhe nuk ka arritur të sigurojë dot gjysmëfinalen. Po sot, janë ndeshur në ringun e vendosur në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” edhe disa boksierë të tjerë të Vllaznisë. Kështu Rexhildo Zeneli në peshën 60 kg ka fituar 10-7 ndaj Esin Egrës së Teutës.
Në peshën 64 kg Erald Mukja ka fituar 10-7 ndaj Man Çelës së Teutës dhe seria e fitoreve ka vazhduar me atë të Gjon Nikës në peshën 69 kg ndaj Artias Çizmes së Teutës me rezultatin 10-9. Një fitore të thellë ka arritur Santiliano Mhilli në peshën 75 kg ndaj Endri Krasniqit të Kukësit me rezultatin 8-2 ndërsa takimi më interesant ka qenë i i ditës së parë në mes Syrja Marinajt të Vllaznisë dhe Misard Goçit të Tiranës. Boksieri shkodran e ka hedhur nokaut kundërshtarin e tij duke siguruar kësisoj gjysmëfinalen e nesërme. Vllaznia ka arritur në këtë mënyrë të nxjerrë 8 boksierë në gjysmëfinale dhe rivalja e saj kryesore në luftën për titull duket se do jetë Apolonia e cila ka nxjerrë 7 boksierë në finale. Ekipi shkodran është dukur me një paraqitje shumë të mirë fizike dhe teknike falë punës së bërë prej kohësh nga sportistët nën drejtimin e trajnerëve Jozef Sermi dhe Besnik Limani.
www.shkodrasport.com