Pesë boksierë të Vllaznisë kanë arritur të fitojnë në ndeshjet gjysmëfinale të kampionatit, të zhvilluara pasditen e sotme në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” duke siguruar kualifikimin për në finalet e nesërme. Krenar Zeneli në peshën 60 kg ka fituar ndaj Llambi Lamajt të Apolonisë për tërheqje të këtij të fundit.

Arjon Kajoshi në peshën 75 kg ka fituar ndaj Redon Pashës së Kamzës për tërheqje të kundërshtarit. Bekim Vjerdha ka arritur të fitojë me rezultatin 3-0 ndaj Orges Roçit të Teutës në gjysmëfinalen e peshës 81 kg. Shumë interesante dy ndeshjet gjysmëfinale të peshës +91 kg. Në të parën, 20 vjeçari shkodran Albert Kapaj ka bërë një ndeshje shumë të bukur ndaj Palucës së Tiranës dhe ka fituar me rezultatin 2-1. Sakaq me rivalitet është edhe gjysmëfinalja tjetër ku Nelson Hysa ka patur përballë Indrit Laçin. Boksieri me shumë përvojë i Vllaznisë ka fituar me rezultat të ngushtë ndaj kundërshtarit, vendim që në fakt nuk është pranuar kollaj nga drejtuesit e Tiranës por gjyqtarët kanë qenë të vendosur në vendimin e tyre. Përfundimisht, në ndeshjet finale të ditës së nesërme, rivaliteti për tititullin kampion do të jetë në mes ekipit të Vllaznisë dhe atij të Teutës. Shkodranët kanë nxjerrë shtatë finalistë ndërsa durrsakët gjashtë dhe kësisoj tashmë gjithçka për titullin e 21-të kampion është në dorën e boksierëve vendas dhe çdo gjë do të vendoset në finalet që do të nisin pasditen e nesërme në orën 17.00.

© shkodrasport.com