Nis kampionati i minifutbollit. Vllaznia- Flamurtari të dielën
Të dielën nis kampionati kombëtar I minifutbollit në vendin tonë. Në të, do të marrë pjesë edhe ekipi I Vllaznisë I cili ka natyrisht pretendimet e veta në këtë kampionat. Ai ka kohë që ka nisur stërvitjen dhe tashmë është gati për ndeshjen e parë të kampionatit, atë që do të luajë të dielën në orën 16.00 ndaj Flamurtarit. Kjo ndeshje do të luhet në pallatin e sportit “Qazim Dervishi”. Skuadra shkodrane e minifutbollit me presidentin e saj Zyhdi Rrashketa, do të bëjë më të mirën në këtë kampionat. Trajner I saj edhe në këtë sezon do të jetë Ardit Behari ndërkohë që përbërja e saj do të jetë shumica e lojtarëve që kanë mbyllur sezonin e kaluar. Këtu bëhet fjalë për dy portierët, Bujar Celufaj dhe Fatos Behari, për të vazhduar me futbollistët e tjerë Alis Paçrami, Erind Mlloja, Eder Meta, Oltion Arrila, Erion Mandi, Besmir Alibali dhe Besfort Gjoklaj. Risia e Vllaznisë në minifutboll janë dy futbollistët, Arsid Çoba dhe Semir Gokaj të cilët konsiderohen përforcime të rëndësishme për këtë ekip në sezonin e ri. Me këto futbollistë natyrisht që objektivi I parë është futja në katërshen e ekipeve më të mira, të cilat pastaj do të luftojnë në plej- of për titullin kampion. Në fazën finale të kampionatit, presidenti Rrashketa mund të bëjë përforcime të tjera në skuadër, kryesisht me futbollistë të huaj për të rritur pretendimet e ekipit dhe pse jo për të synuar titullin kampion. Megjithatë e rëndësishme është që kampionati të nisë mbarë dhe për këtë arsye, duhet patjetër të fitohet ndeshja e parë, ajo me Flamurtarin ditën e dielë. Objektivat këtë vit duken të qarta për t’u renditur ndër ekipet më të mira të kampionat. Klubi I futbollit Vllaznia kësisoj shton gamën e ekipeve të tij, me një tjetër ekip pretendent duke u konfirmuar si një nga klubet me organikën më të plotë ndër gjithë të tjerët në vendin tonë.