Ka nisur paraditen e sotme kupa “Agim Tafili”. Një aktivitet dyditor që I kushtohet legjendës së çiklizmit shkodran dhe atij shqiptar, të ndarë nga jeta katër muaj më parë pas një sëmundje të rëndë. Ka qenë Federata Shqiptare e Çiklizmit, në bashkëpunim me Bashkinë Shkodër dhe klubin shumësportësh Vllaznia, që kanë marrë përsipër organizimin e një aktiviteti të tillë. Në të janë duke marrë pjesë çiklistët më të mirë të vendit. Ata kanë garuar sot në etapën e parë, atë me itinerar Tiranë- Shkodër, 100 km e gjatë. Çiklistët kanë ecur në grup deri në hyrje të Shkodrës dhe pikërisht në maloren e vogël të Beltojës, ka qenë çiklisti I Flamurtarit Leart Bregu, ai që është shkëputur dhe ka hyrë I pari në Shkodër. Koha e arritur nga Bregu ka qenë 2h50’10”, I dyti doli çiklisti I Tiranës Olsion Veliaj me +7” dhe I treti çiklisti tjetër I Flamurtarit Donald Mukaj me +8”.

Pas mbarimit të etapës, është zhvilluar edhe ceremonia e nderimit të fituesve të saj. Kanë marrë pjesë përveç presidentit të FSHÇ-së Skënder Anxhaku, edhe nënkryetari I Bashkisë Shkodër Ritvan Troshani, shefi I klubit shumësportësh Vllaznia Gëzim Mema etj. Bashkia Shkodër dhe klubi Vllaznia kishin akorduar edhe shpërblime financiare për tre fituesit e kësaj etape ndërkohë që kupën e etapës fituesit të saj ia ka dorëzuar nënkryetari Troshani. Në ceremoninë  e zhvilluar, ka përshëndetur shefi I klubit Vllaznia Gëzim Mema që ka thënë: “Ne ndjehemi të nderuar që zhvillohet një aktivitet I tillë në kujtim të kësaj figure të madhe të çiklizmit shqiptar por edhe të klubit Vllaznia. Agim Tafili ka qenë I paarritshëm në shumë drejtime dhe prandaj vepra e tij është mirë që kujtohet me një aktivitet të tillë”. Nga ana e tij presidenti I Federatës Anxhaku ka thënë: “Jam shumë I lumtur që në jetën time kam patur të bëjë dhe të punoj me një njeri të tillë si Agim Tafili. Ky aktivitet që po bëjmë, është minimum I asaj me të cilën mund të nderohet një figurë e tillë kaq e madhe e sportit”. Nuk kanë munguar në ceremoninë e zhvilluar edhe familjarët e këtij kollosi të çiklizmit shqiptar dhe pikërisht ai që ka thënë dy fjalë, vëllai I tij- Shkëlqim Tafili kur është shprehur: “Si familjar I Agimit ndjehem mirë kur shoh që organizohen të tilla gjëra. Natyrisht që ai meritonte gjithçka për vlerat që ka patur. Ndoshta meritonte shumë më tepër sesa kaq, sa I takon nderimeve që I duheshin bërë, megjithatë gjej rastin të falenderoj Federatën dhe Bashkisë Shkodër për këtë organizim të bërë”. Agim Tafili u nda nga jeta në muajin janar të këtij viti pas një sëmundje të rëndë dhe ndonëse ai mbylli sytë në Greqi, të gjitha nderimet I janë bërë në Shkodër, nga Bashkia Shkodër dhe klubi Vllaznia, sepse ai ka qenë krenaria e tyre. Edhe trupi I tij prehet në Berdicë, vendlindjen e tij dhe pikërisht aty sot, do të zhvillohet një tjetër ceremoni interesante. Komuna Berdicë pak kohë më parë I dha Agim Tafilit (pas vdekjes) titullin e lartë “Qytetar Nderi” ndërkohë që qyteti I Shkodrës ende nuk e ka gjetur mundësinë ta nderojë me një titull të lartë ndonëse kërkesa e klubit Vllaznia ka mëse dy muaj që “fle” në sekretarinë e Këshillit Bashkiak. Qëllimi ka qenë që pikërisht neser, me rastin e zhvillimit të kësaj kupe, që përkon edhe me ditëlindjen e tij, ai të nderohej në mënyrën e duhur. Megjithatë në këtë 52 vjetor të lindjes, Agimin e kujtojnë dhe do ta kujtojnë gjithmonë ata njerëz që e kanë njohur, ia kanë ditur vlerat dhe janë entuziasmuar nga ato çfarë ai ka bërë për këtë sport. Neser ndërkohë zhvillohet etapa e dytë dhe e fundit e kësaj kupe, ajo me itinerar Shkodër- Pukë- Shkodër.
Gjergj KOLA