Këtë fundjavë do të zhvillohen në Tiranë dhe Durrës ndeshjet eliminatore të Kupës së Shqipërisë në volejboll për meshkuj. Janë 9 ekipe të cilat do të marrin pjesë në këtë kompeticion dhe ato janë ndarë në dy grupe. Në grupin A ku merr pjesë edhe Vllaznia, bëjnë pjesë edhe Tirana, Farka Volej dhe Elbasani dhe ndeshjet e këtij grupi do të zhvillohen në Tiranë. Sakaq, në grupin B, ndeshjet e të cilit zhvillohen në Durrës, do të jenë pesë skuadra dhe pikërisht Partizani, Studenti, Teuta, Erzeni dhe Skëndërbeu.

Ky grup konsiderohet më i fortë në fakt sepse janë tre skuadra pretendente që do të luftojnë për dy vendet e para që kualifikohen për në turin gjysmëfinal pastaj.

Ndërkohë, në grupin e parë, Vllaznia nuk pritet ta ketë të vështirë për të kaluar rivalët. E vetmja pengesë serioze mund të jetë Tirana por me pak më shumë mobilizim mund të fitohet edhe ndaj saj dhe do të zinte vendin e parë në grup që do ta ndihmonte më pas jo pak për ndeshjet gjysmëfinale. Në ndeshjet e grupit, të parën volejbollistët shkodranë do të ndeshen me Elbasanin dhe një ditë më pas me Farkën ndërsa takimin e fundit do ta luajnë ndaj Tiranës. Skuadra shkodrane nën drejtimin e trajnerit Adrian Mikopli padyshim që do të tentojë t’i shkojë deri në fund këtij kompeticioni pavarësisht luhatjeve që ka patur në kampionat.

Ajo ka ditë që përgatitet për këto ndeshje dhe gjendja fizike e disa prej volejbollistëve që kanë patur probleme me dëmtimet tashmë duket më e mirë. Kjo padyshim që është një garanci më shumë për skuadrën. Vllaznia do të tentojë ta fitojë Kupën e Shqipërisë këtë sezon, trofe që ishte shumë pranë fitores edhe sezonin e kaluar kur në finale humbi 3-2 ndaj Partizanit, në një ndeshje ku vetëm një pikë i ndau shkodranët nga fitorja. Dhe atë që nuk e bënë vjet, shpresojnë ta arrijnë sivjet.

© shkodrasport.com