Laçi dhe Shpëtim Duro kanë rigjetur njëri-tjetrin pas gati 8 muajsh, në tentativë për të ngjitur një marrëdhënie që askush nuk e kuptoi pse u ndërpre, me objektivin për të mbyllur në mënyrën më të mirë këtë sezon futbollistik dhe me shpresën për të përsëritur vetveten në garat europiane.

Palët kanë lënë mënjanë arsyet e pakuptimta për të cilat u ndanë në përfundim të arritjes më të madhe në historinë e kurbinasve që kulmoi me arritjen në turin e tretë të Conferencë League dhe do të provojnë në sprintin final të sezonit përmbushjen e objektivave qoftë në kampionat, por edhe në kupë.

Përtej problematikave të javëve të fundit, në të cilat skuadra nuk njeh fitore në 6 ndeshjet e fundit në kampionat, trashëgimia e Josës mbetet e lavdërueshme. Laçi është i renditur në vendin e dytë në kampionat, që nëse do konfirmohej i tillë në fund të garës do të ishte arritja më e lartë në historinë e 22 edicioneve që kurbinasit kanë konkurruar në elitën e futbollit tonë, si dhe me fitoren në ndeshjen e parë ½ finale në Kupën e Shqipërisë, praktikisht kanë në dorë një biletë për finalen e madhe.

Një moment i tillë i sezonit, i fotografuar do të mund të vendoste nën presion cilindo trajner që do të ulej në stolin e Laçit. Por eksperienca e Duros dhe veçanërisht njohja në detaje e skuadrës, pasi praktikisht një pjesë e madhe e futbollistëve janë zgjedhje e tij në merkaton e verës dhe puna me të gjithë grupin në Kupat e Europës do të jetë një bazë e rëndësishme mbi të cilën do të duhet të vijoi bashkëpunimi mes tyre.

Provat për skuadrën nuk do të jenë aspak të lehta, duke filluar nga sfida me Vllazninë në “Loro Boriçi”. Kurbinasit tanimë me llogaritë praktikisht të mbyllura për çështjen e titullit kampion, do të vihen në një presion tepër të lartë për pozicionin aktual në renditje. Kukësi do të tentojë qysh këtë javë ta spostojë nga vendi i dytë, ndërsa Vllaznia dhe Partizani do t’i luajnë deri në dëshpërim të gjitha shanset e tyre për të siguruar një biletë për në Europë nëpërmjet kampionatit.

Për të evituar cdo lloj surprise të papritur, kurbinasit nën drejtimin e trajnerit Duro do të duhet të gjejnë entuziasmin dhe unitetin e shfaqur verën e kaluar në Conferencë League, për të mbrojtur statusin e forcës së dytë në kampionat dhe për të synuar fitimin e trofeut të Kupës së Shqipërisë.