Pas shumë pritjesh, më në fund ka nisur puna për të kryer procesin e aspirimit dhe kondisionimit të pallatit të sportit “Qazim Dervishi”. Klubi shumësportësh Vllaznia ka shpallur fituesin e tenderit dhe firma fituese e tij ka nisur menjëherë nga puna për zbatimin e këtij projekti. Thuajse është kryer gjysma e punës deri tani teksa janë vënë tubat e aspirimit në njërën anë të fushës dhe tashmë do bëhet edhe në anën tjetër. Ajo që mbetet është edhe vënia në punë e gjeneratorëve që do thithin ajrin e ambjentit Brenda. Gjërat duket se po shkojnë mbarë dhe mendohet që për një periudhë 10 ditore, I gjithë ky proces të mbyllet dhe më pas gjërat do jenë në rregull. Mbyllja e procesit të aspirimit dhe kondisionimit të këtij pallati sporti, në fakt bëri më shumë bujë sesa duhet. Drejtuesit e klubit shumësportësh Vllaznia, duke e parë mëse të domosdoshme një gjë të tillë, vendosin të kursejnë nga sporte të ndryshme një shumë prej 15 milionë lekësh të vjetra, vetëm e vetëm që të rregullohej kjo gjë sepse lagështira e madhe në kohë dimri, e bënte të pamundur shpeshherë edhe zhvillimin e seancave stërvitore të ekipeve të lojërave me dorë por edhe zhvillimin e ndeshjeve zyrtare të tyre. Kursimi I këtyre 15 milionë lekëve duhej kaluar pastaj në Këshillin Bashkiak, I cili do jepte vendimin e tij për tjetërsimin e kësaj shume dhe kalimin në një fond për aspirimin dhe konsidionimin e pallatit të sportit. Në mbledhjen e parë të këtij Këshilli, kjo kërkesë e klubit Vllaznia nuk mori votat e duhura të këshilltarëve dhe u desh një mbledhje tjetër për ta miratuar atë. E gjithë kjo procedurë vetëm sa ka zgjatur mbylljen e këtyre punimeve megjithatë tashmë duket se po I vjen fundit dhe pallati I sportit “Qazim Dervishi” do marrë frymë më kollaj.
Gjergj KOLA