Me etapën Tiranë- Shkodër ka startuar sot Rrethi I 71-të Çiklistik I Shqipërisë. Në këtë Rreth marrin pjesë çiklistë të 11 ekipeve nga Shqipëria, Kosova, Mali I Zi, Maqedonia dhe Serbia. Ndër ekipet shqiptare natyrisht që merr pjesë edhe Vllaznia e drejtuar nga trajneri Sabetin  Hoxha dhe me tre sportistët e rinj Bruno Kola, Riad Ferhati dhe Sabah Alija. Gara e sotme, ndonëse është zhvilluar në kushte atmosferike shumë të vështira me reshje shiu, çiklistët kanë pedaluar me një ritëm të lartë dhe në Shkodër kanë mbërritur për 2 orë e 15 minuta, me nje shpejtesi mesatare prej 41 kilometrash ne ore.

Në përfundim të garës, mbërritja e së cilës është bërë në hyrje të qytetit, vendin e parë e ka zënë çiklisti i Tiranës Olsion Veliaj, i dyti maqedonasi Stefan Petrovski dhe i treti çiklisti i Apolonisë Hysen Sota ndërsa në vend të katërt është renditur çiklisti i Vllaznisë Bruno Kola i cili ndonëse ka bërë defekt gjatë rrugës, ka arritur të kapë grupin e parë dhe të renditet i katërti. Shumë pranë tij kanë qenë edhe dy çiklistët e tjerë, Ferhati dhe Alija dhe në fund të garës trajneri i tyre Sabetin Hoxha është shprehur mjaft i kënaqur për paraqitjen e bërë nga sportistët e tyre. “Të them të drejtën jam shumë i emocionuar dhe i lumtur me paraqitjen e sportistëve të mi në këtë etapë. Sidomos me kapitenin e ekipit Bruno Kolën, i cili bëri defekt në Milot megjithatë arriti ta kapë grupin e parë. Ndonëse në moshë shumë të re ata po bëjnë më të mirën e mundshme dhe besoj se shumë shpejt do të kthehet koha e Tafilëve, Sykjes e me rradhë sepse këto janë djem shumë të përkushtuar”- ka thënë ai.Të kënaqur dhe njëkohësisht të emocionuar kanë qenë edhe tre çiklistët të cilët premtojnë të bëjnë më të mirën edhe në etapat e ardhshme. Nesër do të zhvillohet etapa e dytë e Rrethit, ajo me itinerar Shkodër- Burrel   ku pritet sërish që çiklistët shkodranë të bëjnë një paraqitje të mirë ndonëse terreni do të jetë shumë i vështirë.

www.shkodrasport.com