Ditën e sotme, starton në kryeqytetin britanik në Londër edicioni i 127 i turneut të Wimbledonit, aktiviteti i tretë në rradhës për nga kalendari, pas turneve të tjerë Slam në Melbourne dhe Paris.

Me kalimin e viteve gjërat te meshkujt, në All England Club bëhen gjithmonë e më tepër të paparashikueshme, aq sa këtë vit janë plot 4 emrat e tenistëve favoritë për të ngritur në qiellin londinez trofeun më të rëndësishëm të këtij sporti. Pas triumfit në Australi dhe eleminimit në gjysmëfinale në Roland Garros, pikërisht nga Nadal, numri 1 i botës, Novak Djokoviç i ka të gjitha mundësitë për të përsëritur suksesin e vitit 2011, për më tepër shorti është treguar shumë i mirë me të, teksa e ka lënë krejtësisht të qetë në pjesën e sipërme.

Tenisti serb, i cili numëron 6 tituj të Grand Slam-it në karrierë, praktikisht gjysmën e trofeve të fituar nga Nadal, minimalisht pritet të shkojë deri në finale, ku me shumë gjasa do të masë forcat me njërin nga tre tenistët e tjerë, Murray, Federer dhe Nadal. Shpresat e britanikëve qëndrojnë të varura më shumë se kurrë te emri i Andy Murray, i cili ka shansin për t’u bërë i pari tenist nga Mbretëria e Bashkuar që triumfon në Wimbledon, që nga koha e Fred Perry, në vitin e largët 1936.

Gjërat për të duken më të thjeshta në këtë aspekt, sidomos pas titullit të parë Slam në karrierë që fitoi 10 muaj më parë në Flushing Meadows, ndërsa në Wimbledon një vit më parë krijoi iluzionin e suksesit, teksa fitoi setin e parë, për t’u dorëzuar më pas ndaj madhështisë së të madhit, Roger Federer.

Tenisti helvet falë asaj fitoreje në atë kohë, rimori vendin e parë të botës. Megjithatë, sivjet gjëja që i intereson më tepër 40-vjeçarit nga Baseli, është fitimi i titullit të 8-të në barin e Wimbledonit, titull që do ta ngrinte mjeshtrin zviceran përpara amerikanit Pete Sampras, si edhe britanikut William Renshaw, që për hir të së vërtetës trofetë e tij në Wimbledon, i ka fituar dy shekuj më parë.

Me 8-gusht, Roger në fakt do të festojë 41-vjetorin, pra nëse kërkon ta rrisë numrin 17 të trofeve Slam, shansin më të mirë e ka pikërisht në turneun londinez. Megjithatë, mendon ndryshe Rafael Nadal, i cili këtë herë paraqitet me numrin 5 të turneut dhe sfidën e parë të vërtetë, pritet ta ketë pikërisht përballë Federer, në turin çerekfinal.

Kështu, që të fitojë trofeun e tij të tretë në Londër, Rafa duhet të mundë gjithashtu edhe skocezin Murray në gjysmëfinale. Gjithsesi problem për të, mund të konsiderohet tërheqja nga turneu i Halles dhe gjithashtu edhe sezoni tepër i ngjeshur.

Te femrat, nëse Serena Williams nuk do të ketë ndonjë problem fizik, atëherë do të jetë shumë e vështirë që të ndalet nga dikush. Sidoqoftë, të gjithë kanë kuriozitet për të parë se kush nga tre tenistet Shrapova, Azarenka apo Kvitova, do të jetë përballë saj. Duke parë formën aktuale, motra e vogël Williams, e shkëputur plot 4000 pikë nga Azarenka në renditjen WTA, ka një shans të artë për të fituar titullin e saj të gjashtë në Wimbledon, titull që do t’i japë mundësinë për t’u barazuar me një legjendë si bashkëkombësja e saj, Billie Jean-King.
Maringlen ZHIVANI