Milani e mbylli sezonin me dështim, pasi vendi i pestë ishte një “thikë në zemër” për financat dhe prestigjin e klubit, që prej vitesh po lundron shumë larg elitës, në Itali dhe Europë.

Një ndër përgjegjësit kryesorë të këtij dështimi natyrisht është Leonardo, drejtori teknik i kthyer vitin e shkuar për të marrë përsipër rindërtimin e skuadrës kuqezi.

Tashmë braziliani duket gjithnjë e më pranë largimit dhe sot pritet dorëheqja e tij, sipas mediave në Itali.

Përfundimi i sezonit, por edhe polemikat që Leonardo ka pasur gjatë sezonit me disa nga personazhet kryesore te Milani, e bëjnë të pashmangshëm largimin.

Ndërkaq, në lidhje me të ardhmen e tij Gazzetta dello Sport shkruan se PSG është gati ta rikthejë në Paris, pasi nuk është e kënaqur nga puna e Antero Henrique.

Leonardo ka punuar me sukses pak vite më parë dhe ka marrëdhënie të shkëlqyer me drejtuesit e PSG-së, që janë gati ta rimarrin, ndërsa Milani pritet të punësojë drejtorin sportiv portugez të Lille, Luis Campos./telesport/