Në Kategorinë e Parë marrin pjesë 20 ekipe, por jo të gjithë kanë mundësi që të jenë korrekt me pagesat ndaj lojtarëve, stafit dhe furnitorëve. Shumë borxhe, ndonjëherë nuk kanë as para për të paguar rrugëtimin, kështu që detyrohen të mos lënë gjurmë e të largohen në një kategori më poshtë.
Jo gjithnjë ndodh kështu, sepse në janar duket sikur dikush vjen me “shkop magjik” në dorë dhe bën ndryshime rrenjësore. Por, deri në janar është rrugë e largët, pasi lojtarët kërkojnë të paguhen dhe të vlerësohen për atë që japin në fushë.
Të hyjmë në temë, Burreli, skuadër e ndërtuar me bujë në verë dhe që ofroi para në dorë disa lojtarëve, sot është shpërbërë. Trajneri Stavri Nica është paraqitur në stërvitje, ndërsa futbollistët nuk kanë dashur që të dalin në fushë. Situatë kaotike.
Problemi më i madh është te pagesat. Disa futbollistë ankohen se nuk kanë marrë rrogat, atë të muajit gusht, sepse shtatori do pak kohë “që të dalë”. Normalisht që çdo gjë reflekton te pikët, Burreli mund të rrezikojë të njëjtën gjë si sezonin e shkuar. /EDS/