Futbolli i femrave në Shqipëri ende është në nivele të ulëta si në aspektin teknik edhe në atë financiar. Megjithatë, edhe pse gjatë viteve ka patur tentativa për ta zhvilluar këtë aktivitet, shumë
pak gjëra kanë ndryshuar.
Nisja e një veprimtarie futbollistike për femra në Shqipëri konsiderohet si një kapërcim i madh i mentalitetit dhe traditës. Femrat shqiptare e kanë patur prej dekadash shumë të vështirë të qëndrojnë në shkallët e stadiumeve e jo më pastaj të jenë vetë protagoniste të fushës së blertë të futbollit.
Vendimi i ditëve të fundit të Federatës Shqiptare të Futbolllit, që një klub nuk do të marrë pjesë në Europë, nëse nuk do të ketë ekip femrash është i diktuar nga realiteti. Por a janë të përgatitura klubet e futbollit të përshtaten me këtë realitet të ri?
“Është nismë për tu mbështetur, FSHF na ka ndihmuar rregullisht këto vite me bazën materiale dhe aktualisht shpërndan një fond për ne. Jam i lumtur që më në fund po bëhet realitet, pasi UEFA dhe FIFA që në vitin 2009 kanë dhënë orientim qe meshkujt te kenë edhe ekip femrash. FSHF është i vetmi institucion që na ka ndihmuar, pasi institucionet shtetërore nuk na kanë dhënë asnjë mbështetje. ”- thotë për Gazetën Si, Ferdinand Jaku, i cili ka krijuar të parin ekip të futbollit të femrave në Shqipëri që në vitin 2005.
Ai shpjegon se nuk ka ende një vendim zyrtar, por këtë nismë e sheh pozitive edhe në aspektin ekonomik:
‘’Do ketë një ndikim të madh edhe në aspektin ekonomik. FSHF ka marrë përsipër të paguajë të gjitha shpenzimet, përfshirë edhe rrogat e lojtareve. Deri më sot lojtaret i kemi stimuluar ne mënyra të ndryshme, ku vetëm nga ekipi im janë transferuar dy vajza në kampionatin italian.
Deri tani gjithçka është zhvilluar nga pasioni. Vendimi nuk na ka ardhur ende, por këtë vit fillon mbështetja ekonomike. Ne aspektin ekonomik, mund te hapë mundësi te reja, sepse me gjithë respektin, futbolli mund ti largoje vajzat e reja nga fasoneritë, ku punohet në kushte të vështira ekonomike.
Kohërat kanë ndryshuar, mentaliteti nuk është i njëjti. Duke bërë stërvitje 2-3 orë në ditë dhe me një rrogë të mirë, përveç pasionit, këto vajza mund te ndihmojnë edhe ekonominë e familjeve të tyre.’’
Gazetari sportiv Genc Ymeraj, themeluesi i ekipit Tirana AS, e mbështet këtë nismë, por kërkon të sqarohen disa çështje: ‘’ Gjithçka nis në sezonin 2021-2022. Është një nismë e vjetër, janë bërë tentativa të ndryshme, por kanë dështuar sepse jo gjithmonë ka pas interes. E përshëndes vendimin, qe fillimisht vjen nga UEFA.
Por duhen mbështetur edhe ata që e kanë mbajtur ndër vite futbollin e femrave, duhet një marrëveshje specifike me ekipet e meshkujve. Kemi marre çdo vit një fond, përfshirë edhe pagën e luftës, por duhet të jemi të qartë që shpenzimet e sezonit shkojnë trefish, por ndihma ka qenë.’’
Futbollistja dhe golashënuesja më e mirë në botë për vitin 2018, Megi Doçi, shprehet optimiste rreth këtij vendimi, duke theksuar faktin se kjo nisëm që ka marrë FSHF, është për tu vlerësuar dhe duhet të mbështet nga te gjithë aktorët, si nga biznesi, mediat dhe veçanërisht pushteti vendore dhe qendror: ‘’ Mendoj që nisma e FSHF për ti nxitur ekipet e Superligës që të formojnë skuadrat e futbollit të femrave është një gjë shumë e mirë, sepse do tu krijonte skuadrave kushte më të mira për stërvitje dhe mbështetje me te madhe ekonomike. Do të sjellë rritjen e numrit te vajzave qe do te merren me futboll.’’
Por a janë të përgatitura klubet për këtë nisëm? Disa klube kanë traditë tashmë në futbollin e femrave, por disa të tjera nuk e përjashtojnë mundësinë që të bashkëpunojnë me klube që militojnë aktualisht në
kampionatin e femrave.
Pikërisht kjo ide has në kundërshtimin e drejtuesve të klubeve aktuale: ‘’ Nuk e përjashtoj një bashkëpunim me Kukësin ose ekip tjetër, por me kushtin që të mbaj emrin dhe simbolet e ekipit aktual, pasi historia nuk duhet harruar”, shpjegon Jaku.
I të njëjtit mendim është edhe Ymeraj: “Mund të bashkëpunoj me Tiranën, sepse vendimi i federatës të detyron. Në të kaluarën jemi ndihmuar nga presidenti i Tiranës, Refik Halili. Por, para se të flasim për këtë gjë, duhen vlerësuar ata që kanë kontribuar. Duhet një diskutim i thellë, sepse përveç masivizimit duhet edhe nivel, se mund të përfundojmë kampionat kooperativash.
Megi Doçi, nga ana tjetër apelon që klubet aktuale apo edhe ato që do formohen rrugës duhet të ndjekin shembullin e Vllaznisë: “Vllaznia (ish ADA) është një ekip qe është formuar prej 10 vitesh dhe është një model qe duhet ndjekur nga ekipet tjera në të gjitha drejtimet.
Ky ekip është ndër ekipet më të mira të Ballkanit, si në aspektin cilësor ashtu edhe në atë disiplinor, por ajo që është më e rëndësishme është fakti që ky ekip nuk është shembull vetëm në fushën e lojës, por edhe jashtë saj, madje mund të them që një ndër arsyet qe un kam qëndruar në Shqipëri, ka qenë rregulli dhe puna që zhvillohet këtu.
Mendoj që sot në Shqipëri kemi disa ekipe të mira dhe mendoj qe te gjitha ekipet qe do te formohen rrugës duhet të fokusohen tek vajzat e vogla që të rrisin sportiste sa më cilësorë për të ardhmen, sepse nga aty fillon edhe ardhmja e futbollit dhe mos të mendojnë për kampionatizëm, sepse në vendin tonë për momentin ka shumë pak talente dhe një kampionatizëm nuk do të sillte ndonjë produkt cilësor për të ardhmen”.
*Zhvillimi i futbollit të femrave në Shqipëri*
Gjithçka ka nisur më 6 shtator 2005, me themelimin e Juban Danja. Mbledhja e vajzave dhe grave të Jubanit dhe zhvillimi i të parës ndeshje zyrtare në mes tyre, do të regjistrohej më pas si momenti i lindjes së
këtij futbolli në vendin tonë. Që prej asaj dite, futbolli i femrave filloi të marrë përmasa gjithnjë e më të mëdha.
Kampionati i futbollit për femra nisi zyrtarisht në vitin 2009, pas vitit 2007, ku në Shqipëri u organizua aktiviteti i parë futbollistik për femra, një kupë promocionale që mblodhi katër ekipet amatore nga Tirana, Korça, Rubiku dhe Shkodra, në qytetin bregdetar të Sarandës. Liga e Parë u luajt në sezonin 2010 -2011.
Ekipi Ada i Velipojës doli kampione dhe për të parën herë përfaqësoi Shqipërinë në Ligën e Kampioneve për Femra të organizuar nga UEFA. Aktualisht më shumë se 200 vajza, kanë vendosur që të sfidojnë paragjykimet edhe të veshin uniformat e futbollit dhe jo këpucët me taka për mbrëmje, por ato të
futbollistes në këtë rast.
Sot, kombëtarja shqiptare nën drejtimin e Armir Grimës, ka arritur disa fitore të rëndësishme. Përpos Kombëtares A, femrat shqiptare përfaqësohen edhe nga moshat U-19 dhe U-17.