Vllaznia u ndal në një barazim 1-1 në sfidën e fundit të kampionatit kundër Erzenit. Një gjysmë hapi fals nga kuqeblutë, që në shtëpinë e tyre nuk mund të shkonin më shumë se një barazim ndaj shijakasve. Por në kampin shkodran nuk ka kohë për të “qarë” pikët e lëna sepse skuadrën e pret një 10 ditësh i zjarrtë.
Duke nisur që nga e mërkura, ku në orën 15:00, ekipi i Osmanit do luajë ndeshjen e parë gjysmëfinale të kupës. Shkodranët do jenë në transfertë përballë Egnatias, me dy ekipet më të mira të sezonit deri më tani që do luajnë edhe për kupën përveç kampionatit. Patjetër që synimet e Vllaznisë janë ambicioze dhe në kupë dhe duelet ndaj rrogozhinasve mund të cilësohen finale.
Por turi i forcës për 9 herë kampionët e vendit do vijojë edhe në fundjavë. Vllaznia do jetë sërish në transfertë kësaj here për javën e 30-të të kampionatit. Një ndeshje direkte për vendin e dytë të kampionatit kundër Partizanit. Ku përfundimi i këtij takimi mund të përcaktojë shumë në skuadrën që do jetë në dyshen kryesuese të Superiores në fundin e edicionit të rregullt.
Një duel i vështirë do pasojë edhe pas ndeshjes me kryeqytetasit, ku Laçi në luftën për mbijetesë në Superiore do vizitojë Shkodrën. Me kurbinasit që asnjëherë nuk janë një ekip i lehtë për tu kaluar dhe me objektivin për mbijetesë parashikohet një ndeshje e një niveli të lartë vështirësie. Gjithë këto ndeshje do luhen në harkun kohor të 10 ditëve, ku kuqeblutë mund të përcaktojnë shumë për fatet e këtij ediconi.
Endri ÇINARI