Pak vite më parë dikush e quajti “të tepruar” faktin që dy futbollistë 16-17 vjeçarë debutuan me Vllazninë. Bëhej fjalë për Bekim Balën dhe Edon Hasanin. Ideja ishte se mosha e tyre e re nuk mund të përballonte ritmin e të rriturve por në fakt, ata jo vetëm i përballuan por shiko ku janë sot. Kjo traditë e mirë e promovimit të futbollistëve të rinj vazhdon tek skuadra shkodrane.

Në ndeshjen e djeshme të Kupës së Shqipërisë, asaj ndaj Kastriotit të luajtur në Krujë, ka debutuar me Vllazninë një futbollist 17 vjeçar. Bëhet fjalë për mbrojtësin Enes Isufi. Ai ka hyrë në fushë në minutën e 65-të në vendin e Vucajt dhe ka bërë një paraqitje përgjithësisht pozitive. Kemi të bëjmë me një futbollist të perspektivës i cili është edhe pjesë e kombëtares U-19 dhe me cilësitë e shfaqura deri më tani, premton shumë për të ardhmen. Isufi është i datëlindjes 14 korrik 2000 dhe luan në rolin e qendërmbrojtësit. Drejtuesit e Akademisë dhe ato të klubit Vllaznia besojnë shumë tek ky futbollist i cili në këtë mënyrë ka nisur një rrugëtim që pritet të jetë i suksesshëm për karrierën e tij.

© shkodrasport.com