Që prej fillimit të këtij sezoni, një futbollist koplikas po luan me shumë sukses në Kroaci. Bëhet fjalë për Enis Çokajn, 18 vjeçarin që po spikat me paraqitjet e tij dhe me siguri do të ketë një karrierë të suksesshme në të ardhmen.

Bjondi i mesfushës për katër vite me rradhë ka qenë nxënës në Shkollën e Mjeshtërisë Sportive në Tiranë dhe ka luajtur me ekipin e Shkëndisë ku ka qenë edhe kapiten i tij. Aty ka rënë në sy me paraqitjet e tij dhe për rrjedhojë në verë u kërkua nga drejtuesit e Lokomotivës së Zagrebit.

Akordi është arritur dhe duke qenë se Çokaj është vetëm 18 vjeç, po luan me ekipin e të rinjve të këtij klubi. Bashkë me të në këtë ekip është edhe një tjetër futbollist shqiptar, sulmuesi Arbër Mehmetllari.

Të dy ata janë shndërruar në një pikë të rëndësishme të ekipit U19 të Lokomotivës dhe gjërat kanë shkuar mirë. Pak ditë më parë ky ekip u shpall “kampion dimri” në Kroaci. Përveç kësaj, ekipi i tyre ka siguruar edhe daljen në gjysmëfinale të Kupës së Kroacisë falë golit të shënuar nga Mehmetllari.

Në kampionat, LOkomotiva e Zagrebit e ka mbyllur gjysmën e tij në vendin e parë në renditje duke qenë tre pikë më shumë sesa Dinamo e zagrebit dhe pesë pikë më shumë se Hajduk Split.

Mehmetllari dhe Çokaj kanë firmosur me klubin e Lokomotivës së Zabrebit dhe sezonin e ardhshëm pritet të jenë pjesë e ekipit të parë ku luan një tjetër sulmues kuqezi, Myrto Uzuni.
© shkodrasport.com