Bëhuni gati të dëgjoni gjithnjë e më shpesh emrin Toni Domgjoni. Ai është një 19-vjeçar shqiptar i cili pritet të jetë protagonisti i këtij viti në kampionatin zviceran të futbollit, ku spikatin shpesh shumë talente shqiptare.

Domgjoni ka qenë prej vitesh pjesë e akademisë së Zyrihut dhe nga sezoni i kaluar, u bë pjesë e ekipit të parë. Dje, ai ishte protagonist që në javën e parë të kampionatit me Zyrih, duke ndihmuar skuadrën e tij të fitonte 2-1 ndaj Tun.

Asisti për golin e dytë të skuadrës së tij, por sidomos një lojë e qëndrueshme në mesfushë, bëri që futbollisti 19-vjeçar shqiptar të përfundonte menjëherë në formacionin më të mirë të javës të “Blick”.

Domgjoni është një tjetër talent shqiptar që përfaqëson Zvicrën në arenën ndërkombëtare, të paktën deri tani. Ai ka luajtur 5 ndeshje me përfaqësuesen U19 por nuk është aspak çudi që shumë shpejt të thirret nga U-21 apo kombëtarja A e këtij vendi.

Duke pasur parasysh polemikat që kanë rrethuar lojtarët shqiptarë në Zvicër së fundmi, nuk do të ishte aspak keq që FSHF të shfrytëzonte momentin dhe të ndërhynte për të afruar një lojtar të tillë pranë fanellës kuqezi. /vipsport/