Tjetër paraqitje e mirë dhe tjetër rezultat i lartë për atletin shkodran Gëzim Dimnaku në kampionatin Botëro Masters (30-50 vjeç) të zhvilluar në Malaga të Spanjës.
Ai është renditur i pesti në Botë në garën e kërcimit trehapësh me distancën 12.79 metra. Me këtë rezultat ka qenë vetëm 1 centimetër larg vendit të katërt megjithatë edhe i pesti duket një rezultat i lartë kur ke parasysh se kanë marrë pjesë 70 atletë në këtë disiplinë.
Dimnaku që prej shumë vitesh jeton në Kanada, merr pjesë rregullisht në kompeticione të tilla dhe në Malaga në fakt ka patur pretendime për medalje ari.
Megjithatë nëj dëmtimi i pësuar në tendinën e Akilit në garat e kampionatit të Quebec-ut një muaj më përpara, e ka penalizuar jo pak atë. Në këtë kampionat ai mori pesë medalje të arta në 100, 200, kërcim së gjati, trehapësh dhe kërcim së larti.
Madje, ai ka thyer edhe rekordin e Quebec-ut në garën e kërcimit së gjati. Në një prononcim të shkurtër për “Shkodra Sport” në lidhje me vendin e pestë që zuri në Botëror, Gëzim Dimnaku do të shprehej:
“Pretendimet e mia në fakt kanë qenë për medalje ari por dëmtimi që pësoi pak kohë më parë, më penalizoi. Megjithatë edhe vendi i pestë në botë besoj se nuk është keq.
Një vend i pranueshëm sepse pikësynimi im ishte të renditesha në top-listën e pesë më të mirëve të botës dhe këtë gjë e arrita.
Jam shumë i kënaqur për këtë arritje por njëkohësisht dua të falenderoj edhe një sponsor shkodran, firmën e ndërtimit F.E.M të familjes Shega me banim në Montreal që bëri të mundur sponsorizimin e pjesmarrjes time në këtë event botëror”.
© shkodrasport.com