Ditën e sotme në Tivar të Malit të Zi është zhvilluar Mitingu ndërkombëtar i atletikës.
Miting ky i përvitshëm dhe në të cilin marrin pjesë sportistë të vendeve të ndryshme të Rajonit. Ndër ta, sivjet ka qenë pjesmarrës edhe atleti i Vllaznisë Franko Burraj, i shoqëruar nga trajnerët Bruno Rrotani dhe Albert Marashi.
Paraqitja e këtij sportisti që vetëm pak ditë më parë u shpall sportisti më i mirë në garat e Kupës së Shqipërisë, ka qenë e shkëlqyer.
Ai ka konkurruar në garën e 200 metrave duke zënë vendin e parë me kohën e shkëlqyer 21″74.
Një kohë e cila ka qenë vetëm 15 të qindtat larg rekordit kombëtar të kësaj gare që mbahet nga atleti i mirënjohur Oltion Luli.
Padyshim që një rezultat i tillë i Burrajt lë vend për shpresa se shumë shpejt edhe ky rekord do të thyhet, ashtu si dhe ai i 400 metrave.
Trajneri Rrotani në fakt që para nisjes për në Tivar deklaroi se objektivi nuk ishte zënia e vendit të parë por thyerja e rekordit të 200 metrave.
Atleti i tij ka zënë vendin e parë dhe i ka shkuar shumë pranë rekordit por me siguri që do ta thyejë shumë shpejt atë.
Me punën që po bën kjo dyshe dhe me të dhënat që ka 20 vjeçari, padyshim që Franko Burraj do ta shkruaj emrin në listën e rekordmenëve shqiptarë.
© shkodrasport.com