“Çmenden” drejtuesit e shoqatës së basketbollit të Vllaznisë. Në prag të nisjes së ndeshjeve të Ligës Ballkanike ku ato do të marrin pjesë sivjet, po kërkojnë të bëjnë disa përforcime me basketbollistë cilësorë. Shkodranët së pari kanë kërkuar të mbajnë në skuadër basketbollistin slloven Mirza Sarajlija që ishte pjesë e saj edhe sezonin e kaluar kur u shpallën kampionë. Por supriza e bukur ka ndodhur në stërvitjen e pasdites së djeshme. Aty kanë qenë të pranishëm edhe dy basketbollistë të tjerë të huaj. Bëhet fjalë për amerikanin Chriss Scott dhe kanadezin Innosent Emmanuel. Siç mësohet, ata kanë ardhur nga Spanja ku kanë luajtur më parë dhe janë në bisedime me drejtuesit e Vllaznisë për të parë mundësinë e firmosjes së kontratës me ta. Por drejtuesit e shoqatës kanë vendosur që më parë se të hedhin firmë në kontratë me ta, t’i shohin më parë në fushën e stërvitjes. Për këtë arsye, është arritur akordi me ta që të provohen për tre ditë me rradhë dhe pas kësaj periudhe, të vendoset nëse do firmoset me to apo jo. Për trajnerin Bledar Gjeçaj këto lëvizje bëhen pikërisht në momentin e përgatitjeve për Ligën Ballkanike, një eveniment shumë i rëndësishëm ku Vllaznia sivjet do të përfaqësojë për herë të parë Shqipërinë në të. “Marrja pjesë në Ligën Ballkanike është një përgjegjësi më shumë për ne duke parë nivelin e lartë të skuadrave që marrin pjesë në të. Natyrisht që ne nuk duam të jemi thjesht vizitorë por të lëmë gjurmët tona. Për këtë arsye, drejtuesit e shoqatës së basketbollit Vllaznia po bëjnë maksimumin edhe në merkato për të ofruar lojtarë cilësorë. Kemi mbajtur sërish sllovenin Sarajlija ndërsa basketbollisti amerikan dhe ai kanadez do të shihen me kujdes nga ana jonë gjatë këtyre ditëve para se të vendosim për ta”. Për ekipin shkodran ditët e fundit janë shoqëruar me jo pak probleme sepse rikonstruksioni që po i bëhet pallatit të sportit “Qazim Dervishi”, i ka krijuar jo pak shqetësim stafit drejtues sa i takon vendit të stërvitjes. Por pas bisedimeve dhe akordit të arritur me Rektorin e Universitetit të Shkodrës Artan Haxhi, është rënë dakord që ekipi gjatë kësaj periudhe të stërvitet në palestrën e këtij Universiteti. Skuadra ka kohë që ka nisur stërvitjen dhe tashmë po hyn gradualisht në fazën më intensive të përgatitjeve për pjesmarrjen në Ligën Ballkanike, ndeshjet e së cilës do të nisin në fillimin e muajit tetor.
www.shkodrasport.com