Nga Endri ÇINARI

Vllaznia po përjeton një moment magjik forme në këto momente në Superiore. Kjo pasi shkodranët në 10 javët e fundit në kampionat numërojnë 8 fitore dhe 2 barazime. Duke u ngjitur kështu në vendin e dytë të renditjes, vetëm 6 pikë pas kryesueses së kampionatit, Egnatias.

Patjetër që në Shkodër e po ashtu tek stafi dhe drejtuesit kuqeblu duan ta vijojnë një ecuri të tillë. Jo vetëm në këtë edicion, por edhe në ato që do pasojnë për të krijuar një vazhdimësi. Dhe mundësitë duket se ekzistojnë nga lojtarët aktualë, të cilët kanë një moshë relativisht të re për futboll.

Kështu mesatarja e moshës tek shkodranët është 24 vjeç. Dhe në gjithë rozën kuqeblu është vetëm një lojtar që i kalon 30 vite. Ai është kapiteni Balaj, me moshën 33-vjeçare. Më i “vjetri” pas sulmuesit është Juriç me 29 vite dhe pas tij vijon Boshnjaku me 28 vite. Të gjithë lojtarët që pasojnë janë nën 27 vite.

Duke nisur që nga Hakaj, Stojanovic, Krymi apo edhe Mala i cili është ende 25 vjeç dhe Gruda 24 vjeç. Pas tyre një grup i talentuar futbollistësh u-23 që janë pjesë e Vllaznisë dhe kanë qenë protagonistë këtë sezon si: Smajli, Alivoda, Çoba, Zaganjori, Delaj apo edhe Dodaj. Pra, një bazë që mund të shërbejë shumë në të ardhmen për një Vllazni me pretendime gjithnjë madhore.