Një sezon më parë, e njëjta periudhë, 15 ndeshje të luajtura, Teuta e Durrësit renditej në vendin e parafundit në kampionat, me vetëm 15 pikë. Sezoni i një viti më parë niste në mënyrë pozitive për Teutën, por pas kalimit të javës së tretë të kampionatit, durrsakët “zhyteshin” dhe dita-ditës kriza shtohej. Në 15 javë, sezoni 2017-2018, Teuta fitonte vetëm 4 takime, barazonte 3 dhe pësonte humbje në 8 ndeshje të tjera.

17 gola shënonte sulmi durrsak, që në fakt nuk ishte aspak keq, por porta dhe mbrojtja shthureshin duke pësuar 24 gola. Me këto ritme, Teuta e sezonit të kaluar do e shihte veten shumë shpejt në luftë për mbijetesë. Kjo e fundit do të sigurohej vetëm në fazën e fundit të kampionatit, ose më saktë, në javët e fundit të sezonit që lamë pas.

Por gjërat ndryshuan menjëherë, madje sapo u sigurua mbijetesa në sezonin e kaluar, klubi nisi punën pa humbur kohë për sezonin e ri. Fillimisht nga ekipi u larguan lojtarët që nuk kishin më kontratë me klubin dhe ata që kishin bërë pak që skuadra të mbijetonte. Më pas u gjet trajneri, u plotësua stafi teknik, dhe nisi puna në merkato.

Emra si: Isli Hidi, Tefik Osmani, Sherif Kallaku, Sekou Kamara, Olsi Teqja, Ditmar Bicaj, Gerhard Progni, Sidibe, etj, ishin disa nga përforcimet e klubit durrsak. Të gjithë janë futbollistë titullar, të gjithë janë duke i dhënë tjetër ritëm, grintë e mbi të gjitha dëshirë për të pasur sukses, kësaj skuadre.

Sezoni aktual nisi mirë, ku në 15 javë Teuta regjistron 8 fitore, 4 barazime dhe 3 humbje, shënon 18 gola (një më shumë se vjet) dhe pëson 11, pra rrit qëndrueshmërinë në repartin mbrojtës dhe portë.

Hero është kthyer në shumë takime Isli Hidi, por dhe mbrojtja e “djemve të detit”, vetëm pak ditë më parë ndaj Skënderbeut, tregoi se mund të jetë një mur i pathyer për këdo. Bledi Shkëmbi mund të jetë ende i ri në profesionin e trajnerit, mirëpo padyshim është arkitekt i një suksesi që mungon prej shumë sezonesh në Durrës.

Rruga është e mbarë, gjithçka duket se shkon në perfeksion dhe në fakt rezultatet janë ato që tregojnë këtë, pasi vitet e fundit ka ndodhur rrallë, që Teuta të rivalizojë me tre vendet e para të renditjes.