Forma e dobët që Milani po kalon këtë sezon, mund të shoqërohet në verë me ndryshime të shumta, sidomos nëse nuk arrihet Liga e Kampionëve edhe këtë vit. Faturën kryesore për këtë dështim, pritet ta ketë trajneri Rino Gatuzo për të cilin kanë dalë edhe emra të tjerë në skenë që pritet ta zëvendësojnë në verë.

Pak kohë më parë, u fol për Konten dhe Sarrin, ndërkohë që sot ka dalë një tjetër emër në skenë. “Gazzetta Dello Sport” raporton se kuqezinjtë kanë hedhur sytë nga ish-trajneri i Romës, Eusebio Di Françesko i cili për momentin është i lirë duke qenë se pak javë më parë, u shkarkua nga detyra si trajner i verdhekuqe.

Di Françesko shihet si njeriu që mund të rikthejë Milanin në Ligën e Kampionëve pas një mungese të gjatë dhe ajo që bëri vjet me Romën, i lejon kuqezinjtë të shpresojnë. Kujtojmë që Roma e Di Françeskos në sezonin e kaluar arriti deri në gjysmëfinalen e Ligës së Kampionëve duke eliminuar me përmbysje Barcelonën./vipsport/