Nga Endri ÇINARI

Vllaznia arriti një fitore në shifrat spektakolare 6-1 në ndeshjen e kthimit çerekfinale të kupës kundër Erzenit. Shkodranët pavarësisht rezultatit të thellë siguruan kualifikimin në gjysmëfinale vetëm pas shtesës, ku koha e rregullt kishte përfunduar 2-1. Dhe në 30 minutat e shtesës ishte Bruno Gomes “show”.

Kjo pasi braziliani arriti të shënonte 3 herë duke treguar një formë të shkëlqyer dhe duke qenë vendimtar në kualifikimin e shkodranëve. Por një tjetër lojtar që zhvilloi 120 minuta më shumë se pozitive ishte Geralb Smajli. Mbrojtësi i djathtë ishte dy herë asistues në golat e shënuar nga Bruno Gomes.

Fillimisht me një kros të përkryer nga e djathta, ku braziliani shënoi mjaft bukur me kokë. Pothuajse e njëjta e situatë u ripërsërit edhe në pjesën e dytë të shtesës. Sërish Smajli do asistonte, por kësaj rradhe nga një goditje standarte dhe do ishte sërish Gomes që do “vidhej” ndaj mbrojtësve duke shënuar edhe golin e tretë.

2 asist për Smajlin që tregon për formën e shkëlqyer që po kalon 21-vjeçari këtë sezon. Ku edhe me 4 asist në kampionat, ai po konfirmohet si mbrojtësi i djathtë më i mirë në vend. Dhe një fantazi që vjen nga krahu i djathtë i mbrojtes për shkodranët që tek Smajli shohin një nga pikat e forta të skuadrës./www.shkodrasport.com/