Vllaznia është shndërruar në një “kantier ndërtimi” teksa shumë futbollistë kanë dalë dhe të tjerë po hyjnë. Tek këta të fundit, shumica e tyre janë joshkodranë dhe kjo në njëfarë mënyrë ka krijuar edhe pak habi tek tifozët të cilët prisnin ndoshta një skuadër me më shumë shkodranë por drejtuesit duan të pretendojnë që në vitin e parë Europën dhe prandaj po shohin për lojtarë cilësorë.
Por nga ana tjetër, janë shumë lojtarë të tjerë shkodranë të cilët aktualisht nuk kanë ekip. “Shkodra Sport” ka ndërtuar një formacion me to, të cilin po ua paraqesim më poshtë.
Në portë në këtë 11-she kemi vendosur Erind Selimaj që e ka mbyllur kontratën me Flamurtarin e Prishtinës dhe tashmë ka dëshirë të kthehet sërish në futbollin shqiptar.
Në mbrojtje kemi vendosur Gocajn nga e djathta ngaqë ai e ka mbyllur kontratën me Flamurtarin dhe është futbollist i lirë tashmë. E njëjta gjë edhe për Denis Pjeshkën, mbrojtësin e qendrës. Dy lojtarët e tjerë që plotësojnë repartin e prapavijës janë Antonio Marku që i ka dhënë fund aventurës me Vëllaznimin e Gjakovës dhe Egzon Shimajn që dëshiron të nisë një aventurë të re në Superligë pas asaj me Besën.
Katërshja e mesfushës është e përbërë nga Alsid Tafili në qendër, bashkë me Uheid Hoxhën, ndërsa në krahë janë ish- kapiteni i Vllaznisë Gilman Lika dhe Uendi Vecaj që e ka mbyllur me Laçin.
Në repartin ofensiv ndërkohë ka vend për Arlind Kalajën që është larguar nga Teuta si dhe për Xhevahir Sukajn që është larguar nga Flamurtari. Kjo është 11-shja e lojtarëve shkodranë pa ekip që “SHkodra Sport” ka përzgjedhur për të ndërtuar një formacion.
Pyetja që lind është nëse me këtë formacion, Vllaznia mund të luante apo jo në Superligë. Kjo pyetje në fakt ka shumë enigma brenda dhe mbase është mirë që secili prej jush të japë një mendim për këtë gjë.
www.shkodrasport.com