Pak javë më parë, Mançester Junajtid u mund në shtëpi nga Juventusi me rezultatin e ngushtë 0-1 në takimin e vlefshëm për Ligën e Kampionëve dhe sikur të mos mjaftonte rezultati negativ, “Djajtë e kuq” duhet të përballen edhe me sanksione. Është UEFA, ajo e cila ka vendosur të gjobisë klubin e Mançesterit.

Institucioni më i lartë i futbollit europian, UEFA ka gjobitur me 7 mijë paund Mançester Junajtidin, duke qenë se në takimin ndaj Juventusit kanë hyrë tifozë në fushë dhe njëri prej tyre, ka mbërritur deri te futbollistët aty ku edhe bëri një foto me Ronaldon. Kjo i ka kushtuar disi klubit anglez, pasi UEFA e konsideron si mungesë të sigurisë në stadium.

Kjo është hera e dytë që Mançester Junajtid e pëson nga UEFA në këtë sezon të Championsit, duke qenë se pak kohë më parë u gjobit me 13 mijë paund, pasi takimi ndaj Valencias i luajtur në “Old Trafford”, nisi me pak minuta vonesë dhe ajo vonesë i kushtoi rëndë Mançesterit. /Erjon Allaraj-VipSport.al/