Sot zyrtarisht e ka mbyllur me Vllazninë pas 9 vitesh të kaluara me të dhe Erdenis Gurishta vërtetë doli pa trofe me skuadrën, por ka merituar një “trofe” tjetër në aspektin personal. Ai është përzgjedhur në 11-shen më të mirë të sezonit nga Andi Lila dhe “Oversport”.

Ditën e sotme janë dhënë këto verdikte dhe Gurishta është vlerësuar së tepërmi për sakrificën e bërë duke luajtur për një pjesë të konsiderueshme të sezonit si mbrojtës qendre dhe në formacionin më të mirë është zgjedhur pikërisht në atë pozicion si qendër e djathtë.

Kapiteni i Vllaznisë ka fituar “garën” me mbrojtësin Jazxhi të Teutës. Ndërkohë si kandidatë për të qenë fitues në këtë formacion të sezonit kanë qenë edhe dy futbollistë të tjerë të Vllaznisë, pikërisht Esin Hakaj dhe Esat Mala.

Hakaj megjithatë nuk është preferuar përpara Emiliano Mustës, ndërsa Mala e ka humbur “sfidën” me Da Silvën e Partizanit, edhe për shkak të titullit kampion të fituar nga braziliani, por edhe prej dëmtimit që e la për disa javë jashtë.

Ndër të përzgjedhur ka qenë edhe mbrojtësi shkodran i Bylisit Aleksander Trumçi që gjithsesi nuk ka qenë zgjedhje e parë e formacionit më të mirë sepse si mbrojtës i djathtë e ka fituar vendin Andi Hadroj i Partizanit./SHKODRA-SPORT.COM/

Formacioni i sezonit sipas “Oversport”: Qirko, Hadroj, Gurishta, Najdovski, Musta, Matondo, Aleksi, Rrapaj, Da Silva, F.Hasani, Dëamena. Trajner Edlir Tetova.