Sulmuesi shkodran Vioresin Sinani siç dihet, është golashënuesi më i mirë në historinë e kampionateve shqiptare. Me 208 golat e shënuar kryesisht për Vllazninë, por edhe për Tiranën e Besën, ai i ka kaluar të gjithë dhe me shumë siguri, vështirë do të dalë edhe për disa vite të tjera lojtarë që do t’ia thyejë këtë rekord. Por në fakt, rekordi i tij tashmë është thyer.
Pikërisht nga Megi Doçi, sulmuesja e Vllaznisë që është rekordmenia e Shqipërisë në futbollin e femrave sa i takon golave të shënuar. Natyrisht që nuk kemi të bëjmë me të njëjtin kampionat sepse Doçi konkurron me femrat megjithatë, ajo tashmë po shndërrohet në goleadore të jashtëzakonshme. Vetëm në sezonin e fundit që lamë pas ka shënuar 58 gola. Ashtu si dhe Sinani, edhe Doçi kulmin e saj e ka me Vllazninë. Lojtarja me origjinë nga Burreli por e rritur në Tiranë, ka gjetur “strehë” prej vitesh në Shkodër. Fillimisht duke luajtur një sezon e gjysëm me Adën e Velipojës ndërsa tani po luan të pestin rradhazi me Vllazninë. Dhe të mos harrojmë që Megi sot ka mbushur vetëm 21 vjeç. Sot ka patur ditëlindjen dhe e ka festuar me një tjetër gol. Ka shënuar ndaj Tirana AS (këtë herë vetëm një gol), ka goditur edhe dy herë shtyllat pingule dhe një herë tjetër traversën. Çka do të thotë se ditëlindjen e ka festuar në mënyrën më të mirë të mundshme. Vajzat e ekipit, trajnerët dhe presidenti Matija, janë kujtuar padyshim që ta festojnë këtë ditë të veçantë për një pjestare të rëndësishme të skuadrës së tyre. Për rekordmenen e Vllaznisë dhe të futbollit shqiptar të futbollit të femrave. Sot Megi Doçi ka shënuar golin e saj të 225-të. I 225-ti! Një numër jashtëzakonisht i madh golash të shënuar prej kësaj futbolliste e cila kësisoj ka shkruar historinë e këtij futbolli në vendin tonë. Të mos harrojmë se është vetëm 21 vjeçe dhe ka ende shumë për të bërë në karrierën e saj. Vërtetë futbolli i femrave në Shqipëri ka një nivel të ulët dhe ndoshta ajo shumicën e golave nuk e ka të vështirë t’i shënojë, por gjithsesi të shënosh kaq shumë gola, nuk është e lehtë. Ajo për të cilën shquhet, është goditja shumë e fortë dhe jo më kot, ekzekutimi dhe shënimi i golave nga goditjet standarte, është një preferencë e saj. Madje, duke shënuar deri nga 40 metra largësi. Vetë Doçi ndjehet e lumtur. Dikush mund të thotë se ky numër i madh i golave në kampionatin shqiptar nuk është ndonjë arritje e madhe por në fakt Doçi ka treguar se di të shënojë edhe me kombëtaren tonë përballë ekipeve të tjera europiane. Ka shënuar edhe në Ligën e Kampioneve të Europës ndaj ekipeve të mira të kontinentit plak. Të gjithë këto tregues vërtetojmë më së miri vlerat e kësaj futbollisteje. Duke folur për “Shkodra Sport” ajo është shprehur: “Jam e lumtur për atë çfarë kam arritur deri më tani megjithatë ende nuk jam “ngopur”. Objektivi im padyshim që është shënimi i sa më shumë golave për Vllazninë edhe në sezonin e ri dhe të vazhdojmë të fitojmë të gjitha trofetë e futbollit shqiptar dhe padyshim që do të kërkojmë suksesin edhe në Europë, si me Vllazninë ashtu edhe me kombëtaren shqiptare”.
Gjergj KOLA
Megi Doçi
Sezoni | Ekipi | Golat |
2010-11 | Dardania | 4 |
2011-12 | Tirana AS | 22 |
Ada | 15 | |
2012-13 | Ada | 15 |
2013-14 | Vllaznia | 6 |
2014-15 | Vllaznia | 57 |
2015-16 | Vllaznia | 40 |
2016-17 | Vllaznia | 58 |
2017-18 | Vllaznia | 8 |