Vllaznia do të përballet në datën 13-korrik në Belfast me Linfield, në duelin e vlefshëm për raundin e parë të Conference League.
Futbollistët e Memellit do të tentojnë të marrin maksimumin nga kjo përballje, edhe pse në kampin kuqeblu janë të vetëdijshëm që do të përballen me një kundërshtar të fortë.
Skuadra irlandezo-veriore do të vijë në këtë ndeshje pas një humbjeje dhe një fitore në dy ndeshjet e fundit miqësore. Mbrëmjen e djeshme, Linfield u përball me Kilmarnock të Skocisë, teksa rivali i Vllaznisë në Conference League, arriti të triumfonte me rezultatin e ngushtë 1-0, falë golit të McKee.
Ndërkohë, në ndeshjen e parë miqësore me datë 1-korrik, Linfield u përball me St. Mirrenin e Skocisë, teksa u mposhtën me rezultatin e ngushtë 0-1.
Në dy ndeshjet e fundit miqësore, Linfield arriti të shënojë një gol dhe të pësojë një tjetër. Ndërkohë në kampionat, skuadra e Linfield u rendit në vendin e dytë me 77-pikë, gjashtë më pak se kryesuesit e Larne.
Maringlen ZHIVANI