Merkato e janarit është vetëm 7 ditë larg, menjëherë pas festës së Vitit të Ri 2024 do të hapet drita jeshile për secilin klub europian që të bëjë transferimet e nevojshme për të përforcuar ekipin. Në Superiore janë shumë klube që kërkojnë prurje të reja teksa largimet kanë filluar prej disa ditësh tashmë.

Ndër më të ‘lëvizshmit’ është Vllaznia të cilët kanë ndërruar edhe drejtorin sportiv madje. Tefik Osmani ka nisur nga puna duke larguar menjëherë 3 lojtarë: Dodev, Cheshmedjiev dhe Dragoshi. Shkodranët do të ndërhyjnë në çdo pozicion dhe në repartin ofensiv kërkohet dikush që t’i lehtësojë punën Bekim Balajt, i cili është i vetmi që po shënon.

Në ndeshjen e djeshme të fituar me goleadë ndaj Skënderbeut, në tribunën e ‘Loro Boriçit’ ishte edhe një njohje e vjetër. Erald Çinari po shijonte fitoren e ish-ekipit të tij dhe në fund zbriti në fushë të takonte skuadrën dhe trajnerin Qatip Osmani, me të cilin bashkëpunoi në gjysmën e dytë të sezonit të shkuar te Shkëndija ku ai luan aktualisht.

Mbetet të shihet nëse është thjeshtë një vizitë miqësore, por drejtori Osmani dhe zyrtarë të Vllaznisë nuk mund ta linin Çinarin të dilte nga stadiumi pa një ‘bisedë’ të shkurtër./newsport/