Kur kanë mbetur vetëm 7 ditë nga nisja zyrtare e sezonit për Vllazninë, ku shkodranët do debutojnë në sezonin 2024-25 të hënën tjetër kundër Partizanit, ajo që shqetëson shumë në kampin kuqeblu janë dëmtimet. Disa nga titullarët e ekipit po kalojnë dëmtime, të cilat bëjnë me dhimbje koke trajnerin Brdaric.
Edhe në ndeshjen e fundit miqësore kundër Laçit doli nga fusha i dëmtuar Kahrimanoviç. Mesfushori kroat i cili kishte vetëm pak minuta në fushën e lojës kundër kurbinasve pësoi një tërheqje. Duke mos qenë në gjendje ta vijonte lojën dhe në këtë mënyrë u largua nga fusha e lojës. Por nuk është vetëm ish-mesfushori i Erzenit që shqetëson tek Vllaznia.
Ildi Gruda i cili po ashtu u kthye para pak ditësh nga një dëmtim është ndalur sërish. Sulmuesi mund të qëndrojë edhe 1 muaj tjetër jashtë fushave të blerta dhe ky patjetër është një shqetësim për Brdaric dhe stafin mjekësor. Gjithashtu prej kohësh tek Vllaznia mungon edhe Melos Bajrami, ku kthimi i mbrojtësit nga Kosova pritet në javën e 3-të apo të 4-ët të kampionatit.
Shqetësime kanë treguar në ditët e shkuara edhe mbrojtësit Beci dhe Yago. Po për dyshen nuk duket se ka diçka serioze pasi të dy lojtarët duket se kanë vuajtur ngarkesën e lartë fizike. Dhe për këtë arsye janë lënë të veçuar nga grupi, por në ndeshjen kundër Partizanit pritet të jenë pjesë e ekipit.
Endri ÇINARI