Futbolli i femrave mund të cilësohet ende si tabu në Shqipëri dhe këtë e thotë edhe kapitenia e futbollisteve kuqezi, Uendi Muja, e cila ditën e sotme ishte e ftuar në “Pasdite në Top Channel”.Uendi flet për futbollin e femrave në vendin tonë, emocionet e përjetuara në Champions League me Vllazninë, por ka edhe një mesazh për prindërit.

“Pjesëmarrja në Champions League me skuadrën e Vllaznisë ka qenë një eksperiencë e jashtëzakonshme për mua, por edhe për shoqet e skuadrës. Ne bëmë të gjitha përpjekjet për të kaluar grupin, por këtë herë nuk mundëm. Shpresojmë në sezonin e ardhshëm, nëse do të arrijmë të marrim pjesë të shkojmë sa më larg në këtë kompeticion”, thotë Uendi.
Vajza nga Shkodra shpreh se e ka ëndërr të luajë për një skuadër europiane edhe pse shprehet se ndihet mjaft mirë të Vllaznia. Uendi ka edhe një mesazh për prindërit.

“Do t’i thosha të gjithë prindërve që të shtyjnë vajzat e tyre të luajnë futboll, pasi ky sport duket si një tabu për femrat, por duhet të zhvillohet sa më shumë”.
Sa i përket sukseseve të Vllaznisë në futbollin e femrave, Uendi shprehet se stërvitja intensive, disiplina e fortë dhe motivimi i madh i vajzave ka çuar skuadrën në këto suksese.