Shumica e klubeve shqiptare do nisin sot përgatitjet për sezonin 2022-23. Pushimet tashmë kanë mbaruar thuajse për të gjithë dhe këto muaj do kenë stërvitje intensive.
Kjo në mënyrë që sezoni i ri ti gjejë skuadrat në formën e tyre sa më optimale. Një nga ekipet që zbret sot në fushë është edhe Teuta. Durrsakët që deri në këto momente nuk kanë zyrtarizuar afrime në merkato.
Por sipas informacioneve që qarkullojnë tashmë prej disa ditësh, mesfushori shkodran, Uheid Hoxha do jetë pjesë e durrsakëve këtë sezon. 21-vjeçari mbylli aventurën me kuqeblutë, tashmë për një eksperiencë të re në karrierën e tij. Në Durrës, ai do gjejë edhe dy shkodranë të tjerë, që prej disa sezonesh janë pjesë e “djemëve të detit”.
Fjala është për dyshen sulmuese, Rubin Hebaj dhe Ildi Gruda. Për Hebajn ende nuk dihet nëse do e vijojë sezonin e ri me ekipin bregdetar ndërsa Gruda duket se përgatit sezonin e tij të 3-të rradhazi tek Teuta. Një koloni shkodrane në Durrës, ku prej vitesh janë të “fiksuar” me futbollistët nga qyteti verior.
Vlen të përmenden edhe emra si: Pjeshka, Kalaj, Hakaj apo edhe Kruja e Vajushi që në sezonet e fundit kanë veshur fanellën e skuadrës së Teutës. Madje disa prej tyre duke fituar edhe trofe pas më shumë se dy dekadash me ekipin e drejtuar tashmë nga Renato Arapi. Që në sezonin e ri duket se nuk do niset me pretendime shumë të mëdha siç ka ndodhur në 2-3 edicionet e fundit.
Endri ÇINARI