Një agjensi menaxhimi futbollistësh me qendër në Bari të Italisë ka nisur bashkëpunimin me Klubin e Futbollit Shkodra. Specialistë dhe menaxherë futbolli të kësaj agjensie kanë qenë të pranishëm dje në Shkodër për të vijuar me krijimin e lidhjeve dhe vëzhgimin e elementeve cilësorë të kësaj Akademie.
Siç dihet, ajo është një nga më të organizuar në Shkodër dhe nën drejtimin e Taip e Rudi Piraniqit, ka patur edhe jo pak rezultate e po ashtu, nga rradhët e saj kanë dalë shumë futbollistë cilësorë. Ky ndoshta është edhe qëllimi i bashkëpunimit me italianët të cilët janë sjellë në Shkodër nga Ylli Pashuku, i cili është specialist investimesh dhe ka lidhje me shumë të huaj, ndër të cilët janë edhe italianët e ardhur së fundmi në Shkodër.
Në emër të këtyre të fundit, ka folur Mikele Sorxhente i cili ka vlerësuar këtë Akademi dhe ka premtuar se bashkëpunimi sapo ka nisur dhe do të ketë disa faza. “Ne jemi të interesuar për një bashkëpunim të tillë të cilin mund ta ndajmë në disa faza. Thjesht jemi në fazën e parë por jemi të befasuar nga dëshira që fëmijët e vegjël kanë për t’u bërë futbollistë.
Ne jemi një kompani serioze dhe projektet tona janë afatgjate. Shpresoj që të bëjmë diçka të mirë në këtë drejtim edhe me këtë Akademi”- është shprehur Michele Sorgente, drejtues i kësaj agjensie. Ndërkohë presidenti I KF Shkodra Taip Piraniqi ka vlerësuar këtë bashkëpunim por që sipas tij, do të bëjë të mundur edhe rritjen e cilësisë së punës tek kjo Akademi.
“Nga rradhët tona kanë dalë futbollistë si Elseid Hysaj që luan në Itali me Napolin, Sindrit lgjikë, Armando Vajushi që luan edhe ai në Itali apo dhe të tjerë futbollistë. Besoj se tashmë ka ardhur koha që puna të shkojë në një stad tjetër dhe prandaj e mirëpritëm bashkëpunimin me këtë kompani menaxhimi.
Kuptohet që ne na del për detyrë mbi të gjitha të rrisim cilësinë e punës sepse për të dërguar lojtarë në Europë, duhet punuar shumë më tepër”- thotë Piraniqi. Ai padyshim që shpreson që në të ardhmen, fatin e Hysajt, Gurit, Vajushit etj, ta kenë edhe futbollistë aktualë që janë pjesë e kësaj Akademie të cilët me një menaxhim të mirë të kësaj agjensie, të kenë mundësi të depërtojnë edhe ato në futbollin italian e më gjerë. Një inisiativë vërtetë interesante dhe për t’u përshëndetur.
© shkodrasport.com